​Ukraina godet terminal nafte në Shën Petersburg, sulmohet edhe baza ushtarake në Kronstadt

Një sulm me dronë ukrainas goditi të shtunën një terminal nafte në Shën Petersburg, që ishte njëri nga caqet më të largëta të atakuara nga Kievi zyrtar në Rusi, prej kur nisi lufta mes këtyre dy shteteve në shkurt 2022, raporton AP, transmeton KosovaPress.

Guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, tha se objektivi u godit në distriktin Kirovsky, në brigjet e Detit Baltik.

Sipas tij, mbrojtja ajrore ruse rrëzoi gjithashtu 72 dronë ukrainas mbi qytetin e dytë më të madh të Rusisë dhe zonat përreth.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e cilësoi sulmin si pjesë të strategjisë së Ukrainës për të goditur objektivat në thellësi të territorit rus, e sidomos ato energjetike.

Ai tha se forcat e shtetit të tij qëlluan edhe një cak ushtarak në ishullin Kronstadt, pranë bregdetit të Shën Petersburgut.

“Forcat ukrainase të mbrojtjes goditën infrastrukturën e naftës në port, e cila financon luftën e Rusisë, si dhe objektiva në Kronstadt, një pikë e rëndësishme ushtarake”, shkroi Zelenskyy në Telegram.

Ndërkohë, në gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014, një tjetër sulm ukrainas vrau një person dhe plagosi dy të tjerë, përfshirë një fëmijë 10-vjeçar, sipas guvernatorit të këtij territori, të emëruar nga Moska, Sergei Aksyonov.

Ap shkruan se goditjet e Ukrainës ndaj rafinerive, terminaleve dhe objekteve të tjera energjetike ruse janë bërë pothuajse të përditshme, duke shkaktuar vështirësi në furnizimin me karburante dhe duke shtuar presionin mbi Kremlinin për ta ndalur luftën, e cila ka hyrë në vitin e pestë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka minimizuar ndikimin e këtyre sulmeve. Ai tha se ato “nuk janë kritike” dhe se Rusia do ta vazhdojë luftën derisa të arrijë objektivat e saj.

Putin ka pretenduar se sulmet synojnë të largojnë vëmendjen nga humbjet e Ukrainës në front, megjithëse raportet nga terreni thonë se përparimi i forcave ruse është ngadalësuar muajt e fundit

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU