Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, njoftoi se sot në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëndroi në Kampin Bondsteel, së bashku me pjesëtarët e Grupit për Mbështetje në Ballkan, siç tha, për ta ndarë me ta këtë ditë të veçantë dhe festive.
“Katër korriku na kthen te një nga parimet më fisnike të demokracisë, te vullneti i popullit si burim i lirisë dhe i pushtetit.
Për ne në Kosovë, kjo datë është e pandashme nga miqësia me Shtetet e Bashkuara, të cilat na janë gjendur pranë në çastet më të rënda dhe më përcaktuese të historisë sonë.
Ushtarëve dhe qytetarëve amerikanë ua përcolla urimet më të përzemërta për 250-vjetorin e Pavarësisë, bashkë me mirënjohjen për aleancën që na ka bashkuar në të kaluarën dhe vazhdon të na prijë drejt së ardhmes. Gëzuar 4 korrikun!”, shkroi në Facebook, Haxhiu.


