(Nga: Ekipi Hulumtues, Botues, Dokumentues dhe Promovues i Enciklopedisë Gjithkombëtare të Atdheut “Bardhësitë e Atdheut”)
PRISHTINË, 4 korrik 2026
Sukseset, botimet dhe promovimet e Enciklopedisë Gjithkombëtare, me prezantime edhe në arenën ndërkombëtare, “Bardhësitë e Atdheut”, të autorit, ish-reporterit dhe veteranit të UÇK-së, Afrim Mustafa, po vazhdojnë.
Kjo enciklopedi, e cila përfshin mbi 41 mijë fakte, dëshmi, argumente dhe dokumente gjithkombëtare, që pasqyrojnë historinë tre shekullore të Atdheut tonë, tashmë ka marrë vlerësime të larta nga personalitete me ndikim dhe emër në jetën publike në Kosovë dhe në hapësirat mbarëshqiptare. Ndër ta janë akademikët: Esat Stavileci, Pajazit Nushi dhe Mehmet Halimi; gjeneralët e luftës së UÇK-së: Dr. Bislim Zyrapi, Dr. Jakup Krasniqi dhe Shukri Buja; si dhe ish-kryeministri Dr. Bajram Rexhepi, Dr. Sabri Kiçmari, Rrustem Berisha, Spiro Butka, Prof. Dr. Nexhat Çoçaj, Elmi Reçica, Sokol Dobruna, Dr. Kudusi Lama, Behram Hoti, shkrimtari Izet Avdyli, Shaqir Foniqi, Bilall M. Maliqi, Avdyl Bajrami, Fatmir Halimi, Zymer Mehani, Gazmend Islami dhe shumë e shumë të tjerë.
Në një promovim solemn, të mbajtur në Tiranë, është folur për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kjo vepër madhore e autorit dhe publicistit të mirënjohur të trojeve shqiptare, Afrim Mustafa.
Në promovimin solemn, të organizuar nga gazeta prestigjioze “Nacional” në Tiranë, kryetari i SHFDUÇK-së, Xhavit Jashari, tha se Enciklopedia Gjithkombëtare “Bardhësitë e Atdheut” ka peshë të rëndësishme historike dhe historiografike për Kosovën dhe mbarë shqiptarinë.
Gjithashtu, botuesi dhe publicisti i mirënjohur, Mujë Buçpapaj, theksoi se Enciklopedia Gjithkombëtare “Bardhësitë e Atdheut” është një pasuri për historiografinë tonë mbarëshqiptare dhe se kjo enciklopedi duhet të gjendet në çdo shtëpi e familje shqiptare.
Sukseset e Enciklopedisë Gjithkombëtare “Bardhësitë e Atdheut”, të autorit Afrim Mustafa, vazhdojnë.









