Ylli i Meksikës, Santiago Gimenez, është dërguar me urgjencë në spital pas humbjes dramatike 3-2 ndaj Anglisë në 1/8 e finales së Kupës së Botës, pasi pësoi një lëndim të rëndë në kyçin e këmbës.
Sulmuesi i AC Milanit u aktivizua si zëvendësues në minutat e fundit, teksa Meksika kërkonte golin e barazimit për ta çuar ndeshjen në vazhdime.
Por në minutën e 98-të, Gimenez u rrëzua keq mbi kyçin e këmbës gjatë një tentative për ta ndjekur topin dhe mbeti i shtrirë në fushë me dhimbje të mëdha.
Ai fillimisht u përpoq të largohej duke çaluar, por menjëherë pas fishkëllimës së fundit u dërgua në spital, ndërsa Anglia po festonte një nga fitoret më të mëdha të këtij Botërori në “Estadio Azteca”.
Lëndimi i Gimenez bëri që Meksika t’i luante minutat e fundit me 10 lojtarë, njësoj si Anglia, e cila kishte mbetur me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Jarell Quansah në minutën e 54-të, kur rezultati ishte 2-1 në favor të “Tre Luanëve”.
Sipas gazetarit meksikan Ruben Rodriguez, Gimenez është diagnostikuar me një ndrydhje të shkallës së dytë në kyçin e këmbës dhe pritet të mungojë rreth tetë javë.
Anglia, megjithatë, nuk u largua nga “Azteca” pa shqetësime të veta për lëndime, madje në rrethana shumë të pazakonta.
Gjatë festimeve pas ndeshjes, mesfushori Jordan Henderson humbi ekuilibrin teksa po kalonte mbi një barrierë reklamuese dhe ra direkt mbi kyçin e dorës.
Mesfushori i Brentfordit po vlerësohet nga stafi mjekësor, ndërsa trajneri Thomas Tuchel pranoi se lëndimi “duket shumë keq”.
“Nuk është mirë, nuk është mirë”, tha Tuchel për BBC. “Jordan thjesht u rrëzua dhe lëndoi kyçin e dorës. Duket shumë keq.”
Në konferencën pas ndeshjes, trajneri gjerman dha më shumë detaje: “Ai lëndoi kyçin e dorës dhe ka shkuar në spital. Është një lëndim mjaft serioz. Nuk i përshtatet aspak kësaj nate. Nuk e di nëse do të ketë nevojë për ndonjë ndërhyrje.”
Henderson ende nuk ka luajtur asnjë minutë në këtë Botëror, ndonëse gjatë fitores ndaj Meksikës arriti të ndëshkohej me karton të verdhë nga banka rezervë
Video👇
Në fushë, Jude Bellingham e hapi rezultatin për Anglinë në minutën e 36-të, para se të shënonte sërish vetëm dy minuta më vonë, duke i dhënë skuadrës së Tuchel një start ëndrrash në “Azteca”.
Meksika u rikthye në lojë në minutën e 42-të, kur Julian Quiñones realizoi me një goditje të fuqishme nga rreth 12 metra, duke mposhtur Jordan Pickfordin.
Në fillim të pjesës së dytë, Quansah u përjashtua me karton të kuq, por pavarësisht kësaj, Anglia ishte ajo që shënoi golin e radhës. Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 60-të, pas një penalltie të fituar nga Anthony Gordon.
Sulmuesi i Wolves, Raul Jimenez, e afroi sërish Meksikën në rezultat në minutën e 69-të, gjithashtu nga penalltia, pasi pas kontrollit të VAR-it u vlerësua se Kane kishte shkaktuar faull ndaj mesfushorit Brian Jimenez.
Anglia u detyrua t’i luante 32 minutat e fundit, përfshirë edhe 11 minutat shtesë, me 10 lojtarë dhe vetëm një gol epërsi. Megjithatë, “Tre Luanët” rezistuan falë një mbrojtjeje të jashtëzakonshme.
Dan Burn i Newcastle u aktivizua në minutën e 75-të, duke bërë paraqitjen e tij të parë në këtë turne, dhe pati rol të rëndësishëm në ruajtjen e rezultatit deri në fund.
“Nuk mendoj se do ta harroj ndonjëherë këtë natë”, tha Burn pas ndeshjes. “Stadiumi, rëndësia e ndeshjes… ishte një ndeshje e çmendur. Jam shumë, shumë krenar për djemtë. E përballuam sfidën dhe jemi të lumtur.”
“Kemi treguar se mund të fitojmë në mënyra të ndryshme. Mendoj se kjo e përmbledh karakterin e kësaj skuadre. Kemi folur për këtë vëllazëri që kemi ndërtuar gjatë një viti e gjysmë apo dy viteve të fundit, dhe sot ajo doli në pah. Për mendimin tim, të gjithë ishin të shkëlqyer.”
“Mendoj se kjo do të jetë një ndeshje e Kupës së Botës që do të hyjë në histori”, shtoi ai.
Anglia do të përballet me Norvegjinë në çerekfinale, pasi norvegjezët eliminuan pesë herë kampionen e botës, Brazilin, me rezultat 2-1 në New Jersey. /GazetaExpress/


