Vendim i pazakontë nga FIFA, Baloguni i gatshëm për sfidën me Belgjikën

FIFA ka pezulluar zbatimin e dënimit me një ndeshje për sulmuesin e Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, duke i mundësuar atij të jetë në dispozicion për ndeshjen e fazës së 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Belgjika. Vendimi u mor pasi presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë me presidentin e FIFA, Gianni Infantino, duke kërkuar rishikimin e kartonit të kuq të futbollistit.

Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq në fitoren 2:0 të SHBA-së ndaj Bosnjë dhe Hercegovina, pas një ndërhyrjeje që u konfirmua edhe nga sistemi VAR. FIFA bëri të ditur se kartoni i kuq mbetet në fuqi, por zbatimi i pezullimit është shtyrë për një periudhë prove prej një viti, në bazë të nenit 27 të Kodit Disiplinor. Sipas këtij vendimi, nëse lojtari kryen një shkelje të ngjashme gjatë kësaj periudhe, pezullimi do të zbatohet automatikisht.

Trajneri i SHBA-së, Mauricio Pochettino, e përshëndeti vendimin, duke deklaruar se kartoni i kuq ishte i padrejtë dhe se raste të ngjashme në të kaluarën kanë treguar se sanksionet mund të pezullohen. Në anën tjetër, përfaqësues të Belgjikës kanë kundërshtuar vendimin, duke argumentuar se ai bie ndesh me rregullin e pezullimit automatik pas kartonit të kuq dhe ngre pikëpyetje për barazinë e trajtimit në turne.

Trump reagoi edhe në rrjetin e tij social, duke shkruar: “Faleminderit FIFA-s që bëri atë që ishte e drejtë dhe korrigjoi një padrejtësi të madhe”. Rasti ka nxitur debat të gjerë në botën e futbollit, pasi konsiderohet një nga episodet më të pazakonta në historinë e Kampionateve Botërore për shkak të përfshirjes së drejtpërdrejtë politike në një çështje disiplinore sportive.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU