Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar në Kongresin e 9-të Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Duke i përgëzuar për punën e tyre në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe për rolin e tyre në forcimin e dialogut social në vend, kryeministri në detyrë Kurti, tha se shteti ynë po kalon një fazë të rëndësishme të konsolidimit ekonomik dhe institucional, dhe në këtë proces punëtorët mbeten shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
Me këtë rast, ai theksoi se një nga çështjet parësore të drejtësisë sociale është paga minimale, derisa potencoi se për më shumë se një dekadë, paga minimale në vendin tonë ishte e pandryshuar.
“Që nga viti 2011, paga minimale ka qëndruar në nivelet 130 euro dhe 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit, përkatësisht a je më shumë apo më pak sesa 35 vjeç. Kjo periudhë e gjatë stagnimi ka krijuar vështirësi të rënda për punëtorët e sektorit privat”, tha kryeministri në detyrë Kurti, duke shtuar se gjatë qeverisjes sonë paga minimale është ngritur nga 130 euro dhe 170 euro, në 250 euro, më pas në 350 euro, pastaj në 425 euro, e nga 1 korriku sivjet, paga minimale është 500 euro bruto dhe nga kjo rritje përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Para të pranishmëve, ai theksoi se një prioritet i veçantë i Qeverisë sonë mbetet fokusi te institucionet që garantojnë zbatimin e ligjit të punës dhe në këtë drejtim, Inspektorati Qendror i Punës është duke u fuqizuar, për çka në qershor 2026, është hapur konkursi për 39 inspektorë të rinj, prej të cilëve 24 për siguri dhe shëndet në punë dhe 15 për marrëdhënie pune.
Paralelisht me ketë, ai tha se po punojmë në përmirësimin e kornizës ligjore në fushën e punës, me synimin që ajo të garantojë përfaqësim më të drejtë të punëtorëve, zgjerim të dialogut social dhe një balancë më të qëndrueshme midis punëmarrësve dhe punëdhënësve





