Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet në stadiumin MetLife, pritet të shënojë një moment historik jo vetëm për fituesin e trofeut, por edhe për mënyrën e shpërblimit të kampionëve.
FIFA ka bërë të ditur se, për herë të parë në historinë e Kampionatit Botëror, skuadra fituese do të nderohet edhe me unaza të personalizuara, të numëruara dhe të dizajnuara ekskluzivisht për kampionët, duke sjellë një traditë të frymëzuar nga ligat më të mëdha sportive amerikane, si NBA dhe NFL.
Sipas FIFA-s, do të prodhohen gjithsej 2,026 unaza, një simbolikë që lidhet me vitin e zhvillimit të Botërorit. Nga ky numër, 30 unaza do t’u ndahen futbollistëve dhe stafit teknik të kombëtares fituese, ndërsa 1,996 të tjera do të hidhen në treg si artikuj zyrtarë koleksionistësh, të pajisur me certifikata autenticiteti.
Megjithëse çmimi i tyre ende nuk është bërë publik, FIFA vlerëson se unazat do të kenë vlerë të lartë për shkak të dizajnit ekskluziv dhe karakterit të tyre koleksionues. Ato do të përfshijnë elemente të trofeut të Kupës së Botës, të kombinuara me simbolet identifikuese të shtetit kampion.
Sipas protokollit të finales, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kapiteni dhe trajneri i ekipit fitues do të marrin unaza të përkohshme përpara ceremonisë së ngritjes së trofeut. Më pas, në një ceremoni private, secili prej 30 anëtarëve të delegacionit kampion do të pajiset me unazën përfundimtare të personalizuar.
Ndërkohë, trofeun e Kupës së Botës në ceremoninë e finales pritet ta prezantojë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili kishte marrë pjesë në një rol të ngjashëm edhe në finalen e Kupës së Botës për Klube në vitin 2025.


