Guardiola i refuzon, Italia kontakton trajnerin tjetër

Pep Guardiola nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares së Italisë. Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka dështuar në tentativën për ta bindur trajnerin spanjoll, ndërsa tash emri i Andrea Pirlos është ngritur si favorit për të marrë drejtimin e “Azzurrëve”.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, përfshirë “La Gazzetta dello Sport” dhe “Sky Sport Italia”, Guardiola ka refuzuar ofertën e Italisë pas bisedimeve me drejtuesit e FIGC-së, përfshirë drejtorin teknik Paolo Maldini dhe këshilltarin Leonardo.

Guardiola thuhet se ka pasur dyshime për rikthimin e menjëhershëm në punë pas një dekade në krye të Manchester Cityt, ndërsa një tjetër pengesë ka qenë edhe natyra e angazhimit me kombëtaren, ku trajneri nuk do të ishte në kontakt të përditshëm me lojtarët dhe stafin.

Pas dështimit me spanjollin, drejtuesit italianë kanë kthyer vëmendjen te Andrea Pirlo. Ish-mesfushori legjendar i Italisë aktualisht drejton skuadrën Dubai United në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa më herët ka udhëhequr edhe Juventusin, Sampdorian dhe Fatih Karagümrukun.

Pirlo, i cili në sezonin 2020/21 fitoi Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë me Juventusin, ka lidhje të afërta me Maldinin, me të cilin ka qenë bashkëlojtar te Milani dhe Kombëtarja italiane.

Në listën e kandidatëve për stolin e Italisë vazhdojnë të përmenden edhe Roberto Mancini e Antonio Conte, ndërsa Maldini ka konfirmuar se ka biseduar edhe me Carlo Ancelottin, por trajneri aktual i Brazilit pritet të vazhdojë në detyrën e tij.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU