​Spanja kritikon sjelljen e Argjentinës pas finales së Botërorit

Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Luis de la Fuente, ka kritikuar incidentet e ndodhura pas finales së Kupës së Botës, duke i cilësuar ato si “të patolerueshme dhe të papranueshme”.

FIFA ka nisur një hetim ndaj sjelljes së disa lojtarëve të Argjentinës pas finales së Botërorit, ku Spanja triumfoi 1-0 pas vazhdimeve dhe i mori trofeun kampionit në fuqi.

Në përfundim të ndeshjes pati përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave. Mesfushori argjentinas Leandro Paredes u përfshi në një përleshje fizike me lojtarët e Spanjës, Eric Garcia dhe Gavi, ndërsa kapiteni spanjoll Rodri u godit në zonën e barkut teksa kalonte pranë mbrojtësit argjentinas Nahuel Molina.

De la Fuente ka theksuar se njw gjw e tillw nuk do duhej tw lejohej dhe ka treguar se nuk i kishte parë incidentet në momentin kur ndodhën, pasi ishte duke festuar me pjesëtarët e tjerë të ekipit.

“Një gjë e tillë nuk mund të lejohet. Gjithsesi, për mua është e patolerueshme dhe e papranueshme nga lojtarë të këtij niveli, për të cilët kisha folur me shumë respekt ditët para ndeshjes dhe që kanë një trajner të shkëlqyer”, u shpreh trajneri spanjoll.

FIFA ka kërkuar që një prokuror disiplinor të shqyrtojë ngjarjet dhe të raportojë për hapat e mundshëm, por deri tani nuk ka dhënë detaje se cilat masa mund të merren apo nëse do të kërkohen dëshmi nga lojtarët dhe stafi i Spanjës.

Ndërkohë, ndihmësi i trajnerit të Argjentinës, Roberto Ayala, ka kërkuar falje për përplasjen me Dani Olmon, duke thënë se bëhej fjalë për një shtyrje dhe jo për një goditje.

De la Fuente lavdëroi reagimin e futbollistëve të tij gjatë situatës së tensionuar në stadiumin “MetLife”, duke theksuar profesionalizmin e tyre.

“Dua të veçoj sjelljen tonë përballë atij lloj agresioni dhe provokimi. Lojtarët tanë ruajtën qetësinë dhe u sollën si profesionistë të vërtetë”, deklaroi ai.

Sipas rregullave disiplinore të FIFA-s, një prokuror special mund të kërkojë hapjen e procedurave disiplinore dhe të propozojë masa ndaj federatave, klubeve apo individëve. FIFA ende nuk ka bërë të ditur afatet e mundshme të vendimeve, ndërsa Argjentina nuk ka ndeshje zyrtare në muajt e ardhshëm/Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU