Sinjali ka siguruar identitetin e personave të dyshuar që u përfshinë në përleshjen fizike të ndodhur në orët e para të mëngjesit në diskotekën “Hangover” në Gjakovë, incident që përfundoi me të lënduar, arrestime dhe sekuestrimin e një arme zjarri.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të dyshuar janë Albin Shala, 21 vjeçar, Valon Shala, 31 vjeçar, Taulant Jakupi, 22 vjeçar dhe Brahim Shala, 61 vjeçar, ndërsa viktima janë S.J. 16 vjeçar dhe B.J, 23 vjeçar.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 në rrugën “Gasper Karaqi”, ku pas një mosmarrëveshjeje verbale mes palëve situata ka eskaluar në përleshje fizike. Si pasojë, disa nga të përfshirët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, Valon Shala, si dhe në automjetin e tij, ku në bagazh është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit “Stoeger”, së bashku me një karikator me 15 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Albin Shala, Valon Shala dhe Taulant Jakupi janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkaq, ndaj Brahim Shalës është iniciuar rast për veprën penale “Kanosja”, ndërsa ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata





