Në vitin 2010, Tyson Fury ishte 22-vjeçar dhe profesionist prej dy vitesh, ndërsa Anthony Joshua 20-vjeçar amator, kampion i ABA-s.
Sparingu u zhvillua në Finchley Boxing Club në vitin 2010, dhe Fury ishte 22 vjeç në atë kohë. Ai kishte boksuar si profesionist vetëm për dy vjet kur u përball me Joshua-n.
Menjëherë pas stërvitjes, shkoi në BBC Radio London dhe tha:
“Sapo zbrita dje nga Mançesteri dhe shkova te Finchley Boxing Club. Bëra sparing me kampionin e ABA, Anthony Joshua”.
“Mendova se do ta marr pak më lehtë sepse ai është vetëm amator dhe ndoshta nuk do të bëjë më sparing me mua nëse çmendem”.
“Ai u vërsul drejt meje… BAM, më dha një uppercut të madh mu në majë të mjekrës. Sikur të kisha një mjekër pak të dobët si David Price, do të kisha qenë i nokautuar për një muaj”.
“Ai është shumë, shumë, shumë i mirë. Është vetëm i ri, kini kujdes për atë emër! Anthony Joshua. Ai është një prospect për të ardhmen”.
Anthony Joshua u rikthye më 25 korrik 2026 në Jeddah Superdome në Jeddah, Arabia Saudite kundër shqiptarit Kristian Prenga.
Ishte lufta e parë pas nokautit ndaj Jake Paul dhe aksidentit tragjik në Nigeri.
Meçi ishte dramë e pastër.
Joshua mbijetoi një sulm në raundin e parë përpara se të nokautonte shqiptarin Kristian Prenga për të pastruar rrugën për përballjen e shumëpritur me Tyson Fury.
Në anën tjetër, Tyson Fury e bëri detyrën një natë më herët.
Tyson Fury siguroi një fitore dominuese me TKO në raundin e shtatë ndaj Mariusz Wach në Pattaya, Tajlandë, duke e mbajtur përplasjen e madhe me Anthony Joshua në rrugën e duhur. Polaku u detyrua të tërhiqej para fillimit të raundit të 8-të.
Fury, 37 vjeç, dominoi Wach në Tajlandë dhe tashmë ka rekord 36-2-1, duke fituar të dy meçet e këtij viti pas pushimit të gjatë pas humbjes së dytë nga Oleksandr Usyk në dhjetor 2024.
Të dy tune-up-et janë quajtur “sparinge të glorifikuara” për të ngritur interesin për përballjen gjithë-britanike që pritet të zhvillohet në Wembley Stadium më vonë në vitin 2026 – beteja e 100 milionë paundëve që bota e boksit e pret që nga ai sparing në Finchley.





