Pesë automjete që kanë ardhur në Kosovë nga Koreja e Jugut, janë sekuestruar në rajonin e Vushtrrisë, në kuadër të një aksioni të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Doganës dhe njësisë policore për hetimin e auto krimeve në këtë komune. Krejt kjo lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumenteve gjatë importimit dhe zhdoganimit të veturave nga shteti aziatik i Lindjes së Largët.
Aksionet verifikuese janë zhvilluar në disa lokacione në Vushtrri, përfshirë shtëpitë e të dyshuarve, me qëllim të sigurimit të provave materiale për procedurën penale.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të falsifikuara gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.
Dyshohet se më 6 korrik 2026 janë manipuluar të dhënat në librezat koreane të automjeteve, duke ndryshuar vitin e regjistrimit të parë nga 2015 në 2016. Në këtë mënyrë, automjetet janë paraqitur si jo më të vjetra se 10 vjet, për të përmbushur kushtet ligjore për import në Kosovë.
Sipas hetimeve, dokumentet e falsifikuara janë përdorur për importimin dhe zhdoganimin e pesë automjeteve, për të cilat janë lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD) me të dhëna të pasakta për vitin e regjistrimit të parë.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti po hetohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa është thënë se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave. /KosovaPress/





