Franca bëhet me trajner të ri, pas 14 vitesh epokë të Deschamps

Zinedine Zidane është emëruar trajner i ri i Kombëtares së Francës, duke marrë drejtimin e “Gjelave” pas largimit të Didier Deschamps, i cili përfundoi një periudhë 14-vjeçare në krye të skuadrës.

Deschamps u largua nga posti pas eliminimit të Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm në historinë e kombëtares.

Zidane, kampion bote me Francën si futbollist në vitin 1998, rikthehet në skenën e trajningut pas largimit nga Real Madridi në vitin 2021. Ish-futbollisti 54-vjeçar, i konsideruar si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Francës, ka nënshkruar kontratë që do ta mbajë në krye të kombëtares deri në ciklin e eliminatoreve për Kupën e Botës 2030.

Pas emërimit, Zidane u shpreh krenar për mundësinë që të drejtojë ekipin kombëtar.

“Ka qenë gjithmonë e qartë për mua: nuk ka asgjë më të madhe se Kombëtarja e Francës. Është një gëzim dhe një krenari e madhe të bëhem trajner i kësaj skuadre”, tha Zidane.

Ai falënderoi Federatën Franceze të Futbollit për besimin dhe vlerësoi punën e bërë nga Deschamps gjatë 14 viteve në krye të ekipit.

“Është gjithashtu një përgjegjësi. Dua të falënderoj presidentin Philippe Diallo, komitetin ekzekutiv dhe Federatën Franceze për besimin. Kam shumë ambicie për këtë kombëtare”, deklaroi ai.

Gjatë mandatit të tij, Deschamps e udhëhoqi Francën në tri finale të mëdha, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2018, trofeun e dytë botëror në historinë e vendit.

Ndeshja e parë zyrtare e Zidane si trajner i Francës do të jetë përballja në Ligën e Kombeve ndaj Turqisë, më 25 shtator.

KosovaPress

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU