No menu items!

“Çka po më thirrni?” Përparim Rama refuzoi ashpër pjesëmarrjen në Konventën e LDK-së

Kushdo që arrin ta gjejë kryetarin Përparim Rama në Konventën Programore të partisë së tij, pra Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], në fotografinë që mund ta shikoni më lart, atëherë shumë mirë – por ne nuk po e shohim.

Në këtë Konventë janë të ftuar të gjithë Delegatët e Kuvendit të LDK-së, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, anëtarët e Kryesisë, kryetarët dhe Kryesitë e Degëve, deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, kryetarët e Komunave nga radhët e LDK-së, asambleistët e Kuvendeve Komunale, grupet e ekspertëve, themelues dhe strukturat e tjera të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kështu njoftonte LDK-ja në prag të hapjes së Konventës Programore, në të cilën përveç parisë kryesore ftoheshin edhe kryetarët e komunave.

Por jo krejt kryetarët iu përgjigjen kësaj ftese. Mungoi kryesori, Përparim Rama, i cili si duket nuk e gjeti veten tek njoftimi më lart – “kryetarët e Komunave nga radhët e LDK-së”.

Për dy ditë sa zgjati, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk mori pjesë në këtë konventë dhe nuk u pa askund në panelet që organizoi LDK-ja e që ishin pjesë e programit të Konventës.

Burime të Nacionales tregojnë se Rama i ka thënë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, që mos ta ftojë më në këso ngjarje të ‘kota’.E në këtë konventë, Ramën ndoshta mund të themi se e ka përfaqësuar Alban Zogaj, që është nënkryetar i Prishtinës dhe person i afërt me kryetarin Abdixhiku.

Zogaj në kuadër të Konventës ka folur për “Zhvillimin, Arsimin dhe Shëndetësinë”, dhe citohet të ketë thënë kështu: “Shkurtimi i madhësisë së shtetit në ndërhyrje ekonomike, domosdoshmëri e orientimit tonë të djathtë.”Në bazë të njoftimeve që i ka bërë LDK-ja, kryetarë të komunave të tjera nga radhët e LDK-së, shihen se kanë respektuar thirrjen e partisë.

Nuk dihet deri më tani se cili do të jetë ndëshkimi për mungesën e Ramës në këtë Konventën Programore, e cila ka fort rëndësi për partinë.

Një përplasje RAMA-ABDIXHIKU?

Në muajin prill, gazeta Nacionale kishte raportuar se punët mes Ramës dhe Abdixhikut nuk janë edhe fort mirë.

Mes tyre ka filluar një përplasje, pasi që Rama e konsideron veten si kandidat i pavarur, edhe pse kryetar i komunës u bë me numër e me shkronja të LDK-së.

Nacionale pati raportuar se Rama gjatë gjithë kësaj kohe edhe është sjellë si kandidat i pavarur.

Të gjithë janë nervoz me të”, i kishte thënë Nacionales një burim brenda LDK-së, duke shtuar se nervoza me Përparimin nuk ka të bëjë vetëm me faktin që ai më shumë ndihet i pavarur sesa pjesë e LDK-së, por edhe me faktin se sa avash i ka marrë detyrat e të parit të Prishtinës.

Po ashtu, sipas këtij burimi, edhe vetë kryetari Abdixhiku është në telashe me të.

Nuk është i sigurt nëse mund të komunikojë me të, siç komunikon kryetari i partisë me një kryetar komune”, kishte thënë ky burim.

Ndërkaq, zëvendësi i tij, Alban Zogaj, kishte thënë burimi, po provon ta kompensojë prezencën e LDK-së si institucion.

Ndryshe, kanë kaluar mbi 100 ditë prej kur Përparim Rama është zgjedhur kryetar i Prishtinës, dhe deri më tani nuk kemi parë ndonjë afërsi mes Ramës dhe kryetarit të LDK-së dhe anëtarëve të tjerë të këtij subjekti politik.

Ndërsa sa i përket angazhimit të tij në zgjidhjen e problemeve të prishtinasve, Rama kritikohet se nuk po punon aq sa kanë pritur qytetarët e kryeqytetit.

Mbetet të shihet nëse Rama do të arrijë t’i konkretizojë premtimet e tij që i bëri gjatë fushatës zgjedhore bashkë me LDK-në.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.