Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur përgjigjen e presidentes Vjosa Osmani në letrën e kryesuesit të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, lidhur me vazhdimin e seancës konstituive.
Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mirëpret “përgjigjen e Presidentes ndaj pyetjes jologjike të partisë së parë!”.
Siç dhe paralajmëruam me Komunikatë, Seanca Plenare nuk mbahet peng e tekeve bllokuese e intencës ofenduese të partisë së parë. Dramat eventualisht bien; me to dhe zhurma që provohet të bëhet propagandë!”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.
Ai tha se “seanca plenare mbahet me detyrim brenda 48 orëve; siç u paralajmërua edhe vendimi ynë si Grup Parlamentar!”.
“LDK do të vazhdojë të sillet në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe së këndejmi të vet Republikës. Këtë punë kanë deputetët e vendit”.
“Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike!”, ka shkruar Abdixhiku.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.
“Ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituiv ta vazhdoni jo më vonë se brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në letrën e Osmanit drejtuar kryesuesit e seancës konstituive, Avni Dehari.
Osmani tha se është e gatshme të takohet me Deharin dhe me kryetarët e partive politike parlamentare, për të biseduar për rrugën përpara, nëse ato e shohin të nevojshme një gjë të tillë.
Kuvendi i Kosovës dështoi të martën ta konstituojë përbërjen e legjislaturës së re, e cila ka dalë nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
Deputetët e zgjedhur nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Në ndërprerje të seancës, kryesuesi Dehari njoftoi se po i drejtohej presidentes Osmani, për të sqaruar se si të veprohej më tutje. /Telegrafi/