Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Podujevë sot ka mbajtur tubim me rastin e shënimit të 33 vjetorit të themelimit të saj, shkruan Raporto24.
I pranishëm në këtë tubim, ishte edhe ish-kryetari i kësaj dege, Agim Veliu, i cili nuk u prit nga kryetari aktual Ekrem Hyseni, dhe as nuk u përshëndet nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
E Veliu për këto çështje, ka thënë se duhet t’i pyesni Abdixhikun e Hysenin.
Mirëpo, Veliu ka folur për çështje tjera, e ku sipas tij, Ekrem Hyseni është kryetar aksidental i degës.
“Ekrem Hyseni është kryetar aksidental i degës, d.m.th është i kundërligjshëm. Ka ardhë aty në kundërshtim me të gjitha normat e statutit dhe me rregullat e zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike. Historia nuk mund të fshihet, sepse i vetmi prej themeluesve sot unë jam gjallë. Ka të tjerë nuk janë, edhe nuk e panë të arsyeshme me e përshëndet një njeri që e ka themelu Lidhjen Demokratike para 33 vjetëve, në gjysmën e janarit të vitit 1990”, ka thënë Veliu.
I pyetur se a do të kandidojë për të qenë në krye të LDK-së në Podujevë, Veliu është përgjigjur “ Njëherë ka çështje tjera, të shohim. Duhet të hapet procesi i zgjedhjeve, sigurisht unë jam i interesuar që Lidhja Demokratike e Kosovës në Llap të rikthehet si parti e parë, edhe në këtë formë sikurse e bënë këta sot duke proklamuar unitet e duke vepruar ndryshe me fjalimet e tyre të mëdha, në fjalimet e tyre nuk pat kurrfarë prekje për unitet. Kështu që, është vështirë në këtë formë”, ka thënë Veliu.
Ai tutje, ka shtuar se “disa tjerë që kanë ardhë në krye të LDK-së aksidentalisht janë kalimtarë, dhe besoj që anëtarësia e LDK-së do të dijë ta zgjidhë këtë problem”, ka thënë Agim Veliu.
Video⬇️