No menu items!

AGK: Klima e pushtetit të VV-së ka qenë kundër gazetarëve, duhet të ndalojë së targetuari ata

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka reaguar pas rënies së Kosovës për 24 pozita në indeksin e lirisë së medias, duke shprehur shqetësimin e tij mbi rritjen e gjuhës frikësuese dhe kërcënuese ndaj gazetarëve.

Sipas tij, kjo gjuhë ka arritur kulmin që nga muaji nëntor, duke u intensifikuar gjatë fushatës zgjedhore dhe vazhduar edhe pas përfundimit të saj.

Rexha ka theksuar se ky është momenti që shoqëria të reflektojë dhe që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e lirisë së medias në vend.

Ai ka theksuar se AGK është e gatshme të bashkëpunojë dhe të ndërmarrë veprime për të adresuar këtë çështje, duke e shtuar se mund të formohet një “task-forcë kombëtare” për të trajtuar sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e shtypit.

“AGK është e interesuar që të veprojmë së bashku dhe, nëse është e nevojshme, të formojmë një task-forcë kombëtare për adresimin e sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së shtypit në Kosovë”, ka deklaruar Rexha.

Rexha foli edhe për sulmet nga deputetët dhe zyrtarët e VV-së ndaj tij.

“Menjëherë pas publikimit të raportit dhe deklaratës, kemi parë një sërë sulmesh ndaj AGK-së por edhe ndaj meje, që nuk është e re. Jemi mësuar, por nuk duhet të mësohemi. Nuk kemi nevojë që me emër e mbiemër të jemi target i njerëzve me pushtet. I dënojmë këto targetime. VV-ja duhet t’i adresojë gjetjet, para 2 vitesh ishte mirëpritur nga qeveria dhe VV-ja, e tash duhet që raporti të lexohet”, tha ai.

“Nuk kemi parë asgjë, në maj ndodhte raporti, në korrik ai u miratua. Gjuha që përmendej e papranueshme ndaj gazetarëve, vetëm u përshkallëzuar. Moment i reflektimit është për këdo që ta ndryshojë këtë. VV-ja vetëm duhet të ndalojë së targetuari gazetarët. Jemi të vetëdijshëm që ka liri të shprehjes, luftojnë çdo ditë për të, ajo që raporti vë në pah, e renditja është kaq e ulët për shkak të këtyre ndërhyrjeve”, shtoi Xhemajl Rexha.

Ky reagim i AGK vjen pas një rënie të ndjeshme të pozitës së Kosovës në raportet ndërkombëtare për lirinë e medias.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.