Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, ka thënë se janë gjithsej 19 operatorë të licencuar, por se KESCO ka qenë i vetmi që është përgjigjur pozitivisht për furnizim me energji për bizneset e mëdha.
Megjithatë, shqetësimi nga bizneset është ngritur kur është dërguar çmimorja për këtë shërbim me deri 270% më shtrenjtë, ka shtuar Ajvazi.
“ZRRE-ja na ka njoftuar që janë 19 operatorë të licencuar dhe të gjithëve iu kemi dërguar email zyrtare. Nga emailet që i kemi pranuar, është i vetmi KESCO ka qenë në gjendje të thirrë takim dhe të flasë për çmime. Shqetësimi i madh ka ardhur kur kemi marrë çmimoren. Çmimoret variojnë nga 200 deri 260-270%. Oferta konkrete përveç KESCO-s nuk ka. KEK-u është përgjigjur se nuk mundemi t’iu furnizojmë sepse i gjithë furnizimi jonë është i dedikuar në KESCO. Kemi pasur përgjigje nga një kompani që na ka njoftuar se e përdorë vetëm për nevoja të veta. Së fundmi e kemi pranuar edhe një Noa Energy që na njoftoi se nuk është e interesuar të ofertojë këtë vit”, ka thënë ai.
Palushi: Rryma për bizneset deri në 260% më e shtrenjtë, oferta na erdhi nga KESCO
Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, ka thënë se për bizneset e mëdha rryma do të jetë më e shtrenjtë, mbi 200 për qind. Ai ka theksuar se për prodhuesit vendorë kjo mund të jetë sfiduese e madje mund t’ua rrezikojë ekzistencën.
“Ne nuk kemi pritur që do të ketë një rritje kaq të jashtëzakonshme që prek shifrën mbi 200%, varion nga 200 deri në 260%, dhe kjo na shqetëson sektorin prodhues. Për shumë prodhues, sidomos prodhues që gjenden financiarisht me qëndrueshmëri të fortë mund të rrezikojë ekzistencën e tyre apo të ndikojë në zvogëlimin e të punësuarve”, u shpreh ai në “Konfront”.
Palushi ka shtuar se edhe pse është përmendur si treg i hapur, kompanisë së tij i ka ardhur ofertë vetëm nga KESCO.
Neve na është detyruar të dalim në tregun e hapur, por në fakt kemi vetëm një ofertues dhe këtu nuk shoh liberalizim të tregut. Kemi marrë të vetmen ofertë nga ana e KESCO-s dhe është për 225%”. /Koha.net/