Një vajzë 24-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në rrugën Drenas–Skenderaj, konkretisht në fshatin Polluzhë të Komunës së Skenderajt, ndërkaq shoferi i automjetit ka mbetur i lënduar.
Njësitet e Stacionit Policor të Drenasit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Të lënduarit u transportuan drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim mjekësor.
Megjithatë, për shkak të plagëve të rënda, 24-vjeçarja nuk arriti t’i mbijetojë aksidentit dhe ndërroi jetë në Emergjencën e QKUK-ut.
Lajmin e konfirmoi drejtori i Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla, i cili tha se, përkundër përpjekjeve të mjekëve, viktima nuk arriti të mbijetojë.
“Pas një aksidenti të rëndë me lëndime të rënda trupore, nuk mundi t’iu bëj ballë plagëve të marra, dhe përkundër të gjitha masave me RCP të ndërmarra nga ekipi i mjekëve të Emergjencës, ka ndërruar jetë, femra e lindur në vitin 2001”, deklaroi Syla.
Burimet e DrenicaOnline konfirmojnë se viktima është një e re me mbiemrin Rexha, e lindur në vitin 2001 nga Prekazi, e cila ka ndërruar jetë në QKUK pas plagëve të rënda që mori si pasojë e aksidentit.