Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka ritheksuar mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës, duke shprehur dëshirën që vendi të bëhet pjesë e BE-së sa më parë.
Këto deklarata ai i bëri gjatë hapjes së aktiviteteve të organizuara nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, me rastin e Ditës së Evropës, që shënohet më 9 maj në të gjitha vendet e Bashkimit.
“Shpresa ime e sinqertë është që edhe Kosova të jetë me ne në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Orav, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të reflektuar mbi të arriturat dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen.
Ai vlerësoi Bashkimin Evropian si projektin më të suksesshëm të paqes në botë, duke kujtuar se që nga themelimi i tij nuk ka pasur asnjë luftë në territorin e BE-së.
“Kjo Ditë e Evropës na jep kohën dhe obligimin për të shikuar prapa se çfarë ka bërë deri tani Bashkimi Evropian dhe gjithashtu për të ëndërruar për të ardhmen. Dhe absolutisht më e rëndësishmja për Bashkimin Evropian është që ai ka qenë projekti më i suksesshëm i paqes në botë. Që nga krijimi i tij, asnjë luftë nuk ka ndodhur në territorin e Bashkimit Evropian. Dhe besoj që kjo duhet të jetë edhe ëndrra jonë për të ardhmen, që të vazhdojë gjithmonë në këtë mënyrë. Dhe sigurisht, shpresa ime e sinqertë është që edhe Kosova të jetë me ne në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi ambasadori.