Abuzimi me të drejtën, shmangia nga drejtësia apo moszbatimi i vendimeve gjyqësore janë fenomene që shpesh shfaqen në vendin tonë, por autoritetet ligjzbatuese po ndërmarrin veprime konkrete për të ekzekutuar urdhërarrestet e lëshuara nga gjykatat, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se më 23 maj 2025, rreth orës 21:30, në qytetin e Vushtrrisë, është arrestuar një person ndaj të cilit ishte lëshuar urdhëresë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Arben Gergjaliun, i cili është kapur nga Policia dhe është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, për të nisur vuajtjen e dënimit me burg në kohëzgjatje prej 3 vitesh e 3 muajsh.
Ekzekutimi i urdhëresës është bërë në bazë të vendimit të gjykatës, ndërsa autoritetet gjyqësore dhe policore kanë konfirmuar se i dënuari është tashmë në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.