Përfaqësuesja e Spanjës në futboll synon të vazhdojë rrugëtimin perfekt në gjysmëfinale të Kampionateve Evropiane. Në gjysmëfinalen e parë të “Euro 2020”, Spanja takohet me Italinë, të martën në “Wembley” të Londrës.
Spanja do të luajë për herë të pestë në gjysmëfinale, ndërsa para Italisë është një mision i vështirë për ta ndalur serinë e suksesshme të “La Roja” në këtë fazë garash.
Në “Euro 2020” Spanja ka pasur vështirësi, por ka arritur në një fazë ku njeh vetëm suksese.
Sajti zyrtar i UEFA-s ka paraqitur gjysmëfinalet e deritashme të Spanjës në Kampionate Evropiane.
1964: Spanja – Hungaria 2:1 (pas vazhdimeve)
“Santiago Bernabeu” në Madrid ishte caktuar për ndeshjet e para të Spanjës në Kampionat Evropian. Jesus Maria Pereda shënoi gol të hershëm në ndeshjen ndaj Hungarisë. Por Ferenc Bene ia doli të barazojë shifrat në minutën e 84-t dhe kështu ndeshja shkoi në vazhdime.
Amancio shënoi golin vendimtar për fitoren 2:1 të Spanjës. Ai realizoi në minutën e 112-të. Edhe në finale ndaj Bashkimit Sovjetik, Spanja shënoi gol të vonshëm për fitore.
1984: Danimarka – Spanja 1:1 (4:5 pas penalltive)
Drama e ardhshme e Spanjës në gjysmëfinale shkoi në penallti në Lyon.
Një fund i tillë dukej pak i mundur kur Soren Lerby i dha Danimarkës epërsi të hershme. Frank Arnesen goditi shtyllën në shfaqjen impresive të danezëve në pjesën e parë.
Por pjesa e dytë ishte krejt ndryshe. Antonio Maceda barazo në minutën e 90-të , kurse Lobo Carrasco u afrua dy herë me golin në vazhdime, kur Danimarka ishte e reduktuar në dhjetë lojtarë. Preben Elkjaer ishte ndoshta lojtari i fundit prej të cilit pritej të dështonte në penallti, por huqja e tij i mundësoi skuadrës së Miguel Munoz të siguronte finalen.
2008: Rusia – Spanja 0:3
A ishte kjo ndeshja që nisi dominimin e Spanjës në futbollin ndërkombëtar?
Rusia u rezistoi spanjollëve në pjesën e parë, por Xavi Hernandez ndryshoi shifrat menjëherë në minutën e 50-të. Gola të tjerë shënuan spanjollët me Daniel Guiza e David Silva për fitoren e pastër, 3:0. Spanja më pas e fitoi edhe finalen, 1:0 ndaj Gjermanisë.
2012: Portugalia – Spanja 0:0 (2:4 me penallti)
Kampionia evropiane dhe botërore ishte ekipi që duhej mposhtur në vitin 2012. Asnjë ekip nuk iu afrua kësaj si rivali iberik.
Ekipi i Vincente de Bosques dominoi për kohë të gjatë, por pa shënuar. Penalltitë do të shmangeshin sikur Rui Patricio të mos e ndalte goditjen nga afër të Andres Iniestas. “La Roja” ruajti nervat, duke konkretizuar katër penallti, pas dështimit fillestar të Xabi Alonsos.
Asnjë ekip më parë nuk kishte fituar tre turne të mëdhenj rresht. Por Spanja bëri histori në mënyrë sensacionale, duke fituar 4:0 ndaj Italisë në finale.