Sot Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ua ka rikujtuar qytetarëve që investojnë në kriptovaluta janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet.
Siç duket, ATK ka “harruar” se Kosova ende nuk ka ndonjë ligj i cili do të përcaktonte rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj, shkruan mediumi online Paparaci.
Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimin dhe Kontributet Pensionale”, thuhet në kumtesën e ATK-së në një postim në Facebook.
Deklarata e lëshuar nga Administrata Tatimore ku thuhet se për personat fizikë jo afarist, personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë Tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor, veçanërisht për të ardhurat që gjenerohen nga kriptovalutat, ka mos-përputhje pasi nëse një çështje financiare që ende nuk është e rregulluar me procedurë ligjore, atëherë për të duhet të nxjerrën akte ligjore.
Pavarësisht se Kuvendi i Kosovës përmes shefes së Grupit Parlamentare të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka nisur hartimin e nismës legjislative Projektligji për kriptovalutat, deri më tani nuk kemi parë diçka konkrete në këtë aspekt, ndonëse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian por edhe Shqipëria ka një ligj i cili ka filluar rregullimin e monedhave digjitale, shkruan Paparaci.
Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji që po punohet nga deputetët synon edhe të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.
Ato mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme. Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.
Nga hulumtimet që janë publikuar ndër vite tregojnë që Mitrovica, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani janë mbushur me pajisje që prodhojnë kriptovaluta. Pjesa më e madhe e tyre janë të padoganuara dhe janë pajisje ilegale. /Paparaci