Autoriteti i shëndetit publik në Francë ka rekomanduar që personat nën moshën 30-vjeçare ta marrin vaksinën e kompanisë “Pfizer” e jo atë të kompanisë “Moderna”, e cila u vlerësua se bart rrezik më të madh për probleme të lidhura me zemrën.
Organi “Haute Autorite de Sante”, që nuk ka fuqi ligjore për të ndaluar ose licensuar ilaçe, por që vepron si këshillues i sektorit shëndetësor francez, citoi rreziqe shumë të rralla të lidhura me miokarditin – sëmundje e zemrës – që janë shfaqur në të dhënat e fundit për vaksinën e kompanisë “Moderna” në një studim francez të publikuar të hënën.
“Brenda popullsisë nën moshën 30-vjeçare, rreziku duket të jetë pesë herë më i vogël me vaksinën “Comirnaty” të “Pfizer”-it në krahasim me vaksinën “Spikevax” të kompanisë “Moderna”, thuhet në deklaratën e autoritetit shëndetësor, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Vendimi në Paris erdhi pasi rregullatorët në disa shtete, përfshirë Kanadanë, Finlandën dhe Suedinë, gjithashtu kanë marrë një qasje më mbrojtëse ndaj vaksinës “Spikevax” për shkak të shqetësimeve rreth problemeve me zemrën, që mund t’i prekin të rinjtë.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve muajin e kaluar e miratoi vaksinën e kompanisë “Moderna” si dozë përforcuese për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare, së paku gjashtë muaj pas dozës së dytë.
Megjithatë, më herët këtë vit, e njëjta agjenci ka thënë se ka gjetur lidhje të mundshme mes një lloji shumë të rrallë të inflamacionit në zemër dhe vaksinave për Covid-19 të kompanive “Pfizer” e “Moderna”.
Agjencia ka thënë se përfitimet që i sjellin këto dy vaksina për ta parandaluar sëmundjen Covid-19 vazhdojnë të peshojnë më shumë se rreziqet. Qëndrim të ngjashëm kanë edhe rregullatorët në ShBA dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.