Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) bën të ditur se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar disa njoftime lidhur me praninë e toksinës Cereulide në produkte të qumështit formulë për foshnje të markës APTAMIL, të prodhuara në Gjermani, Holandë dhe Irlandë, raporton KosovaPress.
Sipas AUV, njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimin me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimin nr. 2026.1018, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në produktet e prodhuara në Holandë si dhe njoftimi nr 2026.1017, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulat për foshnje dhe në formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë.
“Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., Vushtrri, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen ekëtyre produkteve nga tregu”, njofton AUV.
AUV u bën thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.


