Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për procedimin e gjykimit në mungesë ndaj 40 pandehurve të akuzuar për rastin “Banjskë”, në Zveçan.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se të pandehurit M.R, V.R, U.J, M.J, V.A, A.M, L.S, V.D, V.V, S.J, M.K, U.M, T.V, D.V. V.J, S.P, N.S, M.V, S.R, M.R, M.A, Z.C, K.D, S.M, M.S, A.J, R.G, I.M, G.Z, N.R, R.A, M.M, D.B, D.D, D.V, A.T, M.K, M.N, N.I dhe V.I, janë të akuzuar për vepër penale kryerja e veprës penale terroriste dhe vepër penale vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, i pandehuri M.R, i akuzuar edhe për vepër penale lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit si dhe vepër penale shpëlarja e parave.
Tutje në njoftim thuhet se kryetari i trupit gjykues, ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka gjetur se kërkesa për procedimin e gjykimit në mungesë është e pabazuar dhe në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë.
“Gjykimi ndaj të pandehurve në fjalë, do të vazhdoj pas arrestimit dhe ekstradimit eventual të tyre në Republikën e Kosovës. Palët e pakënaqura me këtë aktvendim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”, thuhet në njoftim.