Barcelona ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Real Valladolidit në kuadër të javës së 34-të në La Liga.
Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit, të cilët kaluan në epërsi në minutën e gjashtë me Ivan Sanchez që realizoi me ndihmën e një devijimi për 1-0.
Me epërsi minimale të Valladolidit u mbyllën 45 minutat e para të këtij takimi.
Në pjesën e dytë Barcelona ia doli të përmbysë gjithçka në harkun e gjashtë minutave, për të marrë fitoren e radhës.
Për të barazuar shifrat fillimisht u përkujdes braziliani Raphinha, i cili në minutën e 56-të realizoi për 1-1.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm gjashtë minuta më vonë, Fermin Lopez (60’) shënoi për të prëmbysur gjithçka në 2-1 dhe për t’i dhënë Barcelonës tri pikë.
Me këtë fitore Barcelona vazhdon ta mbajë distancën me ndjekësin Real Madridin që nesër (e diel) do të luajë ndaj Celta Vigos.
E gjithë vëmendja e blaugranasve tani do të përqendrohet tek e mërkura ku do të luajnë ndeshjen e kthimit ndaj Interit në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/