Bashkimi Evropian po shqyrton një sërë masash ndëshkuese ndaj Izraelit për shkak të veprimeve të tij në Rripin e Gazës, raportojnë burime diplomatike, duke iu referuar një dokumenti zyrtar që pritet t’u prezantohet ambasadorëve të BE-së javën e ardhshme nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).
Dokumenti përmban pesë opsione ndëshkuese, përfshirë:
pezullimin e pjesshëm ose të plotë të marrëveshjes së asociimit BE-Izrael,
sanksione të synuara ndaj zyrtarëve izraelitë,
kufizime tregtare,
embargo armësh dhe
pezullim të bashkëpunimit shkencor.
Masat do të diskutohen nga ministrat e jashtëm të BE-së më 15 korrik në Bruksel – një takim i rëndësishëm para pushimeve verore dhe afati jozyrtar që i është dhënë Izraelit për të treguar përmirësime në situatën humanitare në Gaza.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se qëllimi kryesor është përmirësimi i gjendjes në terren dhe, në rast se nuk arrihet progres, do të shqyrtohen hapa të mëtejshëm.
Megjithatë, ndarjet e thella brenda BE-së, veçanërisht kundërshtimi i Gjermanisë, Çekisë dhe Hungarisë, po e vështirësojnë miratimin e masave më të ashpra si pezullimi i marrëveshjes së asociimit, e cila kërkon konsensus të plotë nga 27 shtetet anëtare.
Sanksionet individuale ndaj zyrtarëve izraelitë shihen si opsioni më i mundshëm, ndërsa vende si Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja tashmë kanë ndërmarrë masa të ngjashme.
Izraeli e ka kundërshtuar ashpër procesin, duke e quajtur “të egër” dhe me “mangësi metodologjike”, ndërsa BE-ja thekson se qëllimi i masave është lehtësimi i vuajtjeve të civilëve palestinezë në Gaza/Raporto24/