Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konference për media deklaroi se, se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri përfaqësojnë farsën më të rëndë elektorale të 34 viteve të fundit, duke i krahasuar ato me proceset zgjedhore të diktaturës së Mugabe në Zimbabve.
I sapokthyer nga Brukseli ku mori pjesë në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, Berisha tha se kishte denoncuar para përfaqësuesve të qendrës së djathtë dhe institucioneve europiane vjedhjen masive të votës nga ana e qeverisë Rama.
Ai përmendi bonusin prej 100 euro për pensionistë, faljen e gjobave në masën 200 milionë euro, punësimet dhe kultivimin e kanabisit në funksion të blerjes së votës si prova të manipulimit të zgjedhjeve.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha u ndal në pjesëmarrjen e tij në seancën plenare të Byrosë Ekzekutive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), ku, së bashku me Fatmir Mediun, ka denoncuar para lidershipit global të qendrës së djathtë farsën zgjedhore të 11 majit në Shqipëri. Ai theksoi se raportet e OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës janë dëshmi të qarta të manipulimeve dhe janë pritur me indinjatë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët e krahasuan gjendjen në Shqipëri me atë të Venezuelës së Maduros.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi akuzuar mazhorancën për manipulime masive me votën e emigrantëve, duke theksuar se rezultati në kutitë e votimit është “i gatuar nga kriminelë elektoralë të PS-së” dhe nuk përfaqëson vullnetin e lirë të shqiptarëve në diasporë. Berisha deklaroi se opozita disponon të dhëna të sigurta mbi manipulimet monstruoze të ndodhura në Greqi, Itali, veçanërisht në Romë, dhe në disa zona të tjera, ndërsa shtoi se e njeh edhe mekanizmin e këtij mashtrimi.
Megjithatë, ai tha se ndjekja e procesit zgjedhor është një detyrim i lindur nga respekti për ligjin dhe shtetin ligjor, edhe kur procesi është i deformuar.
Berisha theksoi vendosmërinë e forcës politike që drejton për të denoncuar çdo parregullsi, blerje vote apo shkelje të ligjit, ndërsa shprehu bindjen e tij të thellë se faktori ndërkombëtar do të qëndrojë në anën e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
Ai paralajmëroi një angazhim të dyfishtë të PD-së – si në terren, përmes lëvizjeve të fuqishme brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, përmes dialogut intensiv me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, për të vërtetuar, sipas tij, manipulimin e procesit zgjedhor.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se rezultatet janë të fabrikuara në mënyrën më të paimagjinueshme dhe paralajmëroi ndëshkim ndërkombëtar ndaj asaj që e cilësoi si batërdi zgjedhore. Ai u zotua se beteja politike do të vazhdojë në të gjitha frontet, ndërsa njoftoi mobilizim popullor kundër asaj që quajti narkodiktaturë.