Gjakovë – Në seancën e rigjykimit të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Berat Berisha akuzohet se vrau axhën e tij S.B., dëshmitarja Z.B., tha se ditën kritike të 28 prillit 2023 dëgjoi viktimën duke bërtitur “më vrajti, më vrajti”.
Z.B., e cila viktimën e kishte kushëri të bashkëshortit, tha se ka qenë në korridor të shtëpisë së saj, kur kishte dëgjuar dy gjuajtje të armës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kur kemi dalë me vajzën s’kemi dëgjuar as s’kemi parë kurgjo, veç kemi mbetë tu këqyr edhe i ndjeri S., u dalë drejt me shtëpinë tonë, edhe kur na ka parë neve ja ka nis me bërtitë “oh më vrajti, më vrajti”, tha dëshmitarja Z.B.
Pas kësaj, ajo tha se kishte parë të akuzuarin duke e gjuajtur me armë tani të ndjerin S.
“…mandej e kena pa Beratin edhe ne kemi nis me bërtitë për momentin se u traumatizuam, edhe i ndjeri S,. ka ecë rrugës teposhtë, qashtu tu bërtitë u shku edhe Berati i ka ra i ka gjuajtur me armë, po s’e di sa herë edhe ai është rrëzu ndërmjet shtëpisë së vetë dhe të kunatit”, tha dëshmitarja.
Sipas saj, ditën kritike nuk i ka dëgjuar të kenë folur mes vete dhe shtoi se nuk e di nëse i akuzuari ka pasur ndonjë mosmarrëveshje me tani të ndjerin S.
Më pas, me vendim të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Drilon Haraçia, seanca u mbyll për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
ARTIKULLI I PLOT👇