Këngëtarja e njohur amerikane, Beyonce, nisi këtë javë turneun e saj të ri “Cowboy Carter”, i cili promovon albumin me të njëjtin emër dhe që së fundmi e shpërbleu me një çmim Grammy, shkruan Raporto24.
Koncerti i parë u mbajt në stadiumin SoFi pranë Los Angeles, ku artistja hapi performancën tre-orëshe me këngën “American Requiem”, e veshur me një kostum të bardhë kauboji dhe e shoqëruar nga balerinë të veshur me të kuqe.
Megjithëse performanca u vlerësua për aspektin vizual dhe albumi ka pasur sukses si kritik ashtu edhe komercial, turneu nuk nisi pa sfida. Sipas mediave të huaja, stadiumi nuk ishte mbushur plotësisht dhe mbi 3,000 vende mbetën bosh pak minuta para nisjes së koncertit.
Çmimet e larta të biletave kanë zemëruar një pjesë të fansave, duke nxitur spekulime në rrjete sociale se turneu mund të jetë një “dështim”. Organizatorët mohojnë këtë pretendim, duke theksuar se janë shitur rreth 94% e biletave. Megjithatë, burime të tjera tregojnë se boshllëku në stadium u ndikua nga rishitja spekulative e biletave – shumë prej tyre u blenë nga rishitës që më pas tentuan t’i shesin me çmime të fryra, gjë që pengoi fansat e vërtetë të siguronin hyrje në koncert.