No menu items!

BIRN: Rusia luajti rol kyç në përhapjen e dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

 

Rusia ka luajtur një rol kyç në përhapjen e dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, duke u përpjekur të minojë besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe të destabilizojë vendin, janë gjetjet kryesore të raportit të publikuar sot nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN Kosova.

Fushatat e dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes, sipas raportit, janë organizuar dhe mbështetur nga Kremlini dhe qeveria ruse, me ndihmën e mediave të financuara nga Rusia dhe aktorëve politikë në Serbi, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se dezinformimi përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë thelbin e demokracisë.

Ai shtoi se raporti i publikuar zbulon se narrativat dezinformuese të zgjedhjeve të 9 shkurtit u përhapën, jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës.

Dezinformimi është më shumë se thjesht përmbajtje mashtruese. Ai përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë thelbin e demokracisë, manipulon opinionin publik, nxit ndarjen dhe minon besimin tek institucionet. Ajo që është gjithashtu kritike për çdo proces zgjedhor është integriteti i informacionit dhe qasja e votuesve në informacion të saktë, të besueshëm dhe autentik”, tha Orav.

“Gjetjet e sotme, të bazuara në një analizë të gjerë të kryer nga BIRN Kosova do të shpjegojnë se si ky fenomen u manifestua gjatë periudhës zgjedhore, kush ishte pas tij dhe ndikimin e gjerë që kishte në procesin demokratik. Raporti zbulon se narrativat dezinformuese u përhapën jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës. Përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe e gjuhës së dehumanizimit ishte alarmuese, me grupe dhe individë të caktuar që u shënjestruan në mënyrë disproporcionale, veçanërisht gratë në pozita me ndikim. Retorika politike u shndërrua në forma ekstreme të dehumanizimit dhe për fat të keq një pjesë e madhe e kësaj përmbajtjeje mbetet e qasshme nëpër platforma të ndryshme edhe sot. Gjetjet gjithashtu theksojnë rolin në rritje të mediave sociale në shpërndarjen e këtyre narrativave, veçanërisht përmes përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe platformave anonime”, shtoi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Orav.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përhapja e lajmeve të rreme nuk është vetëm një sfidë për mediat, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e shtetit.

“Në epokën në të cilën po jetojmë lajmi i rremë po përhapet shpejt, prandaj kjo nuk është vetëm një sfidë, por edhe një rrezik real edhe për stabilitetin e shtetit tonë, për integritetin tonë si shtet, për demokracinë, por mbi të gjitha për sigurinë kombëtare. Për këtë arsye, kontrollimi i fakteve duhet të bëhet një standard i përditshëm, që e zbaton secili prej nesh. Në kontekstin e sigurisë shtetërore, mosverifikimi i fakteve nuk është thjesht një problem etik apo profesional i medias, por shndërrohet në kërcënim serioz ndaj shtetit. Aktorë të huaj, veçanërisht Rusia dhe Serbia, siç e dini, kanë promovuar aktivisht dezinformimin dhe narrativat përçarëse për ta minuar besueshmërinë në proceset demokratike në Kosovë. Mediat, të mbështetura nga Rusia, kanë luajtur një rol në përhapjen e dezinfomatave mbi integritetin zgjedhor të Kosovës dhe nxitjen e tensioneve në rajonin tonë”, tha presidentja Osmani

 

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.