Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale të mërkurën për intervistim lidhur me hetimet rreth dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, e ka përmendur Bislimin për çështjen e funksionalizimit të kësaj fabrike.
E në fund të majit, Prokuroria Speciale urdhëroi bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj lidhur me dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të këtij impianti. Ministri Peci ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Pos tij, qe intervistuar edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Bekim Hoxha.
Pas intervistimit, Peci pati thënë se ka vepruar në interes të publikut.