Britania e Madhe dhe Franca kanë arritur një marrëveshje pilot për kthimin e disa migrantëve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla, në një përpjekje për të frenuar emigracionin e paligjshëm dhe për t’iu përgjigjur kritikave ndaj menaxhimit të kufijve britanikë, raporton agjencia Associated Press.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, e shpallën këtë marrëveshje të enjten në Londër. Edhe pse plani fillestar parasheh një numër të kufizuar kthimesh, zyrtarët britanikë e kanë cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së një precedenti për riatdhesimin e migrantëve që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme në Britani.
“Nuk ka një zgjidhje të vetme magjike, por me përpjekje të përbashkëta, taktika të reja dhe nivel të ri vendosmërie, mund ta kthejmë më në fund situatën në favorin tonë”, tha Starmer gjatë konferencës së përbashkët për media. “Për herë të parë, migrantët që mbërrijnë me varka të vogla do të ndalohen dhe do të kthehen në Francë brenda një kohe të shkurtër”.
Sipas marrëveshjes, autoritetet britanike do të kthejnë disa prej atyre që kalojnë Kanalin me varka të vogla në Francë, ndërkohë që do të pranojnë një numër të barabartë migrantësh që vlerësohen si azilkërkues legjitimë në Mbretërinë e Bashkuar.
Kalimet me varka të vogla janë kthyer në një temë të ndezur politike në Britani, të nxitura nga pamjet e trafikantëve që mbushin anijet e vogla me migrantë, shpesh në kushte të rrezikshme, në brigjet franceze.
Vetëm këtë vit, mbi 21 mijë persona kanë kaluar Kanalin Anglez me mjete të tilla – një rritje prej 56 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fatkeqësisht, dhjetëra persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjes për të arritur në Britani.