No menu items!

Caktohen gjyqtarët që do të vendosin mbi kërkesën e Mustafës në Kushtetuese kundër vendimit përfundimtar të Supremes

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë caktuar gjyqtaret e Kushtetueses që do të vendosin mbi kërkesën e Salih Mustafës kundër vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme e cila la në fuqi vendimin e Apelit për 15 vjet burgim për Calin.

Për të vendosur në këtë kërkesë, me 24 prill 2025 kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova i  caktoi gjyqtaret Vidar Stensland, Roumen Nenkov  dhe Piotr Hofmański.

Në ankesën e tij të dorëzuar me 24 prill 2025, Mustafa thotë se iu janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara sipas nenit 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës e cila përcakton se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me veprën penale.

Mustafa pretendon se Apeli kur e shpalli dënimin e ri e ka shkelur këtë dispozitë e cila ka për qëllim ta mbrojë të akuzuarin dhe se Supremja më pas nuk e korrigjoi këtë gabim por e refuzoi kundërshtimin e mbrojtjes.

Sipas tij, Supremja nuk ka përcaktuar asnjë standard sa i takon shkallës së dënimit dhe as kur një dënim mund të konsiderohet joproporcional.

Mbrojtja e Mustafës thotë se Kushtetuesja duhet ta interpretojë këtë nen, përdorimin e tij dhe gjithashtu duhet të jep udhëzime të qarta lidhur me interpretimin e tij pasi që deri më tani nuk ka ndonjë gjë të tillë.

Sipas mbrojtjes, proprcionaliteti ka të bëjë me shkallën e dënimit dhe jo me dënimin në përgjithësi.

Duke e quajtur vendimin me 15 vjet burg për Mustafën si arbitrar dhe të paqëndrueshëm, mbrojtja kërkoi nga Kushtetuesja që t’i jepet e drejta në këtë kërkesë dhe të kthej në rigjykim çështjen në panelin përkatës.

Ndryshe, Mustafa kishte bërë edhe një ankesë tjetër në Kushtetuese për shkelje të të drejtave të tij themelore dhe kushtetuese gjatë gjykimit të tij në Themelore dhe Apel për çka vendimi në këtë rast ishte marrë me 17 prill 2025.

Sipas vendimit, Kushtetuesja nuk ka konstatuar gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e gjykatave më të ulëta dhe rrjedhimisht ankesa e Mustafës u shpall e papranueshme.

Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli  për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij. /BetimipërDrejtësi

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.