Reperi i njohur shqiptar, Capital T, ka reaguar me shqetësim dhe zemërim pas raportimeve të fundit për një incident të rëndë në Aeroportin e Beogradit, ku disa qytetarë shqiptarë janë mbajtur me orë të tëra në kushte të rënda, teksa udhëtonin tranzit drejt Tiranës.
Pamjet nga aeroporti, ku qytetarët shqiptarë shihen të ngujuar pa arsye të qartë në temperatura të larta, janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta.
Mes tyre ishte edhe reagimi i fortë i reperit Capital T.
Ai e rishpërndau videon në Instastory, duke shkruar në anglisht: “Mesa duket, gjithmonë na duhet të mësojmë në mënyrën më të vështirë”.
Në një postim tjetër, Capital T emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi i dha reagimit të tij një ton më të drejtpërdrejtë dhe emocional, duke shkruar: “Sa herë duhet me u djegë, sa plagë duhet me u hapë, që me kuptu se armiku, sado maska të veshë, kurrë s’bëhet as mik, e as vëlla!”.
Fjalët e reperit, që njihet për angazhimin e tij në çështje që prekin komunitetin shqiptar, u interpretuan nga ndjekësit si një kritikë e qartë ndaj trajtimit të shqiptarëve në Serbi, dhe një thirrje për vetëdije kolektive.
Reperi, i njohur për hitet si “Posh” dhe “Akull”, ka folur shpesh për temat e identitetit kombëtar dhe drejtësisë sociale, dhe nuk është hera e parë që reagon ndaj situatave që prekin publikun shqiptar në rajon.
Ngjarja në Aeroportin e Beogradit po vazhdon të komentohet gjerësisht në rrjet, ndërsa shumë figura publike dhe qytetarë kanë shprehur pakënaqësi dhe kërkesë për reagim diplomatik dhe institucional nga autoritetet shqiptare dhe kosovare.