No menu items!

Cilët politikanë e tërhoqën 10 përqindëshin nga Trusti dhe sa para iu dolën?

Mundësinë për të tërhequr 10 përqindëshin nga Trusti, e kanë shfrytëzuar edhe politikanët kosovarë. Në mesin e tyre ka edhe zyrtarë të VV’së, ani pse kjo parti e kishte kundërshtuar këtë ide. Por, sa është shuma e parave që kanë tërhequr ata? Më poshtë gjeni deklarimet e deputetëve

Rreth 30 politikanë kosovarë kanë tërhequr një pjesë të kursimeve të tyre nga Fondi Pensional i Kursimeve, meqenëse një gjë e tillë u mundësua me kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Shuma e parave që ata kanë tërhequr ministrat, deputetët dhe ish-deputetët, fillon nga 300 euro e shkon deri në 26 mijë euro.

Në mesin e politikanëve që kanë tërhequr mjete nga Trusti, janë edhe disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht se kjo parti kishte kundërshtuar këtë ide kur ishte propozuar.

Zyrtarët e VV’së që kanë tërhequr një pjesë të kursimeve janë: Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Adnan Rrustemi, Arjeta Rexhepi dhe Visar Korenica.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ka tërhequr 2 mijë e 390 euro kursime, derisa Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Liburn Aliu, ka marrë 2 mijë e 658 euro nga Trusti.

Deputeti Adnan Rrustemi ka deklaruar se ka tërhequr 2 mijë e 84 euro nga Trusti.

Deputetja Arjeta Rexhepi ka thënë se ka tërhequr 1 mijë e 200 euro, derisa Visar Korenica ka marrë 1 mijë e 762 euro.

10 përqindëshin e kursimeve e kanë tërhequr edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka marrë 5 mijë e 125 euro, derisa ish-kryeministri Avdullah Hoti ka marrë 6 mijë e 335 euro nga Trusti.

Edhe deputetët Arben Gashi e Armend Zemaj kanë vendosur të tërheqin 10 përqind të kursimeve.

Gashi ka marrë 4 mijë e 472 euro, derisa Zemaj ka tërhequr 5 mijë e 640 euro.

Kursimet i ka tërhequr edhe deputetja Hykmete Bajrami. Vlera e parave që ajo ka marrë është 4 mijë e 677 euro.

Të drejtën për të tërhequr kursimet e kanë shfrytëzuar edhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti Bedri Hamza ka tërhequr nga Trusti rreth 10 mijë euro.

Gati tetë mijë euro më shumë se Hamza ka marrë deputeti tjetër i PDK’së, Gazmend Bytyqi.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Bytyqi ka thënë se ka marrë nga Trusti para në vlerë 17 mijë e 49 euro. Nuk dihet nëse ai i ka tërhequr të gjitha mjetet prej Trustit.

Ndërkohë, deputetja tjetër e kësaj partie, Floreta Zejnullahu ka tërhequr 300 euro.

Bekë Berisha i AAK’së ka marrë 1 mijë e 265 euro, derisa kolegu i tij Shkumbin Demaliaj ka tërhequr nga Trusti 26 mijë euro. Ai ka thënë se këtë të drejtë e ka shfrytëzuar si invalid i luftës.

10 përqindëshin e kursimeve e kanë tërhequr edhe zyrtarë të Listës Guxo.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar para nga Trusti në vlerë 918 euro, derisa deputetja Jeta Statovci ka thënë se ka marrë 480 euro.

Të drejtën për tërheqjen e 10 përqindëshit e kanë shfrytëzuar edhe disa ish-deputetë.

Visar Hoti ka tërhequr 4 mijë e 122 euro, Ilir Ferati 1 mijë e 762 euro, Frashër Demaj 6 mijë e 342 euro, Hatim Baxhaku 3 mijë e 360 euro, Veton Berisha 2 mijë e 600 euro, Shkëlzen Hajdini 1 mijë e 860 euro dhe Shkëmb Manaj 1 mijë e 683 euro.

Ndryshe, tërheqja e 10 përqindëshit të kursimeve ishte mundësuar me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës e kishin kundërshtuar këtë propozim të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ministri Hekuran Murati, i cili në atë kohë ishte deputet, pati thënë se nuk është zgjidhje tërheqja e 10-përqindëshit nga Trusti.

“Për t’i tërhequr 10 për qind nga Trusti, fillimisht ka të bëjë me parimin dhe qëllimin. Për nga aspekti parimor duhet ta shohim pse është themeluar Fondi Pensional. Arsyeja pse është themeluar një institucion i tillë është që të sigurohet që një qytetar kur e mbërrin moshën e zakonshme dhe mos me u bërë barrë e shtetit dhe mos me u bërë rast social, por me pasur kursime për të jetuar”, pati thënë Murati.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli pati thënë se Qeveria s’duhet t’i ndihmojë qytetarët me paratë e veta.

“Ligji për rimëkëmbje ekonomike nuk ka asgjë aty përveç idesë që qytetarët t’i marrin kursimet e tyre pensionale, që t’i shfrytëzojnë ato, por ne jemi që Qeveria t’i ndihmojë qytetarët e jo ata me pare të veta të tentojnë të dalin nga kriza”, pati deklaruar Pacolli.

Ky ligj kishte dështuar gjashtë herë t’i merrte votat e nevojshme.

Ligji ishte votuar vetëm pasi ishin pranuar edhe katër amendamente nga Partia Demokratike e Kosovës. Një prej tyre ishte edhe kompensimi i kësaj shume, brenda pesë vjetëve të ardhshme.

“Të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë Euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek TRUST-i Brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë”.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU