No menu items!

Çka ndodhi në Gjykatën e Gjakovës, gjatë seancës ndaj katër serbëve të arrestuar të cilëve iu gjetën armë?

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj katër serbëve që u arrestuan të dielën në Gjakovë.

Katër shtetas serbë të arrestuar më 5 prill në Gjakovë janë paraqitur para Gjykatës Themelore në këtë qytet, nën dyshimin për posedim të armëve të ftohta dhe për shkelje të ligjit për armët.

Sipas institucioneve të Kosovës, të njëjtit ishin paraqitur fillimisht si pelegrinë gjatë vizitave në Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës.

Të arrestuarit janë identifikuar si Branko Rakiq, Nemanja Vamoviq, Pavle Kragoviq dhe Milovan Steviq.

Dy prej tyre kanë deklaruar para trupit gjykues se kanë pozita të rëndësishme në Serbi: Pavle Kragoviq ka pohuar se është inspektor policie në Kragujevc, ndërsa Milovan Steviq ka deklaruar se është stomatolog në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë në Beograd.

“Këto mjete të cilat të tjerët i kanë parë, unë as në fotografi nuk i kam parë. Por pavarësisht kësaj, unë do ta pranoj çdo vendim të gjykatës”, u shpreh Steviq, raporton gazetarja e Telegrafit Diana Mulaj.

Ndërkohë, të dy të arrestuarit e tjerë, Rakiq dhe Vamoviq, nuk kanë deklaruar lidhje me institucionet e sigurisë serbe. Rakiq është prezantuar si teknik i komunikacionit, ndërsa Vamoviq si inxhinier i pylltarisë.

Prokurorja e rastit, Venera Shala, gjatë seancës ka kërkuar masën e paraburgimit për të katër të dyshuarit, duke u thirrur në rrezikun e arratisjes, pasi të gjithë janë shtetas të Serbisë dhe mund të jenë të paarritshëm në rast të largimit nga Kosova.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje, në kundërshtim me Ligjin për armët.

Gjatë kontrollit të veturës me të cilën po udhëtonin – një automjet i tipit “Toyota”, ngjyrë hiri – e drejtuar nga i pandehuri Branko Rakiq, janë gjetur disa mjete të mprehta: një sëpatë, një thikë me këllëf dhe një thikë-sharrë.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, pasi automjeti i të pandehurve ishte ndalur nga policia për shkak të tejkalimit të shpejtësisë në zonë të kufizuar.

Gjatë kontrollit, njëri nga të dyshuarit ka shprehur gatishmëri për kontroll të veturës dhe janë gjetur mjetet e përmendura, të cilat Prokuroria pretendon se janë mbajtur gjatë vizitave në manastire ortodokse në mënyrë të organizuar.

Rasti është në procedurë dhe Gjykata pritet të vendosë mbi kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj katër të dyshuarve./Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.