Gjykata Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë ka aprovuar si të bazuar padinë e “REKS” L.L.C., për caktimin e masës së sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të njoftimit. Andaj, u pezullua ekzekutimi i njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për moslejimin e paditësit/propozuesit të shfrytëzojë furnizimin nga shërbimi universal- pra për dalje në treg të lirë të energjisë elektrike, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor.
Sipas vendimit të Komerciales, më 10 qershor 2025, paditësi/propozuesi “REKS” L.L.C., përmes përfaqësuesit me autorizim ka parashtruar padi, kundër ZRrE-së në çështjen e konfliktit administrativ të anulimit të përgjigjes së të paditurit të datës 3 qershor 2025, me propozim për shtyrje të ekzekutimit të njoftimit për moslejimin e paditësit/propozuesit të shfrytëzojë furnizimin nga shërbimi universal, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata Komerciale përmes vendimit të 18 qershorit 2025, pasi shqyrtoi pretendimet e paditësit vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit, me arsyetimin se paditësi pretendimet e paraqitura në propozim i ka mbështetur në argumente të qëndrueshme dhe prova materiale.
Gjykata konstatoi se i padituri përmes njoftimit e ka njoftuar paditësin se biznesi i tij nuk i plotëson kushtet për furnizim me KESCO, si furnizues me shërbime universale me tarifa të rregullta.
Komercialja gjen se paditësi ka argumentuar faktin se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm i cili vështirë do të riparohej, si dhe ka argumentuar se pezullimi nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që pezullimi do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare.
“Gjykata vlerësoj se vendosja e masës ruan status quo-në, dhe parandalon një dëm real, ndërsa refuzimi i saj lejon një dëm real të ndodh, prandaj pezullimi i ekzekutimit është masë e vetme proporcionale që mundëson respektimin e normave juridike dhe mbrojtjen e të drejtave”, thuhet në vendim.
Andaj, për të shmangur rrezikun e këtyre pasojave në rast të ekzekutimit të njoftimit të lartcekur dhe duke pasur parasysh faktin se pezullimi i ekzekutimit të tij nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe palës kundërshtare nuk i shkakton ndonjë dëm, Komercialja vendosi ta aprovojë kërkesën e paditësit “REKS” për pezullimin e ekzekutimit të vendimit deri në nxjerrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor, sipas padisë së ushtruar nga paditësi.
“Gjykata gjeti se ekzekutimi i njoftimit kontestues paditësit do ti sillte dëme vështirë të riparueshëm pasi që paditësi me rastin e aplikimit dhe me padi ka dorëzuar Formularin e deklarimit vjetor dhe pagesës për tatimin në të ardhurat e korporatave për vitin 2024 në të cilën janë deklaruar të ardhurat bruto në vlerë prej 6,489,832.30€, ashtu që është konstatuar qarkullimi vjetor jo më shumë se 10 milion euro”, thuhet në vendimin e Komerciales.
Gjithashtu, Komercialja vlerësoi se pezullimi i ekzekutimit të njoftimit deri në vlerësimin përfundimtar të ligjshmërisë nuk do t’i shkaktonte ndonjë dëm ZRrE-së dhe as buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Këtë vlerësim gjykata e mbështeti në faktin se paditësi ka paraqitur prova dhe argumente konkrete e të mjaftueshme se bazuar në dispozitat e cekura më lartë, janë përmbushur në mënyrë kumulative kushtet ligjore që të aprovohet propozimi për pezullimin e ekzekutimit të njoftimit
të kontestuar derisa gjykata të vendos përfundimisht lidhur me ligjshmërinë e aktit të goditur përkitazi me padinë e paditësi ku do të shqyrtohen të gjitha pretendimet e palëve të paraqitura dhe që do të paraqiten në të ardhmen”, thuhet në vendim.
Ndryshe, sipas vendimit, paditësi “REKS” në kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit ka theksuar se ekzekutimi i njoftimit- vendimit kontestues do të dëmtonte shumë rëndë atë dhe është vështirë i mundshëm riparimi i dëmit që do të shkaktohej.
Paditësi kishte shtuar se operon me humbje financiare tejet të larta, dhe mosaprovimi i masës së sigurimit do të vështirësojë edhe më shumë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike, përfshirë largimin kolektiv të punonjësve dhe mbylljen e tërësishme të shoqërisë tregtare.
“Humbja neto për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2024 është në shumë prej (2,810,876) euro (2023:1,660,853 euro.), dhe se humbja e akumuluar deri me 31 dhjetor 2024 është në shumë prej (5,207,045) euro, e nga këto raporte të auditimit financiar tregojnë se mos aprovimi i masës së sigurisë deri në nxjerrjen e vendimit meritor nga gjykata, do të ishte goditje përfundimtare për zhvillimin e aktivitetit afarist”, thuhet në vendim.
Sipas paditësit, shtyrja e ekzekutimit të njoftimit për mospranimin e tij të shfrytëzojë shërbimet universale të furnizimit me energji elektrike nuk është në kundërshtim me interesin publik.
“…përkundrazi do të lejonte të vendosej drejtësia ndaj veprimeve dhe vendimeve arbitrare të përgjegjësve të organeve publike, dhe do të mbronte interesin publik sepse nuk do të lejonte përjashtimin e paditësit kundërligjshëm nga shfrytëzimi i shërbimeve universale dhe njëkohësisht do të mbronte të paditurin nga zgjerimi i kërkesëpadisë edhe për dëmshpërblimin material nga baza e fitimit të humbur, andaj i ka propozuar gjykatës që të aprovohet kërkesa e paditësit dhe të shtyhet e ekzekutimi i njoftimit kontestues”, thuhet në vendim.
Në anën tjetër, i padituri ZRrE/ kundërshtari i masës, në përgjigje ndaj pretendimeve të paditësit, ka deklaruar se paditësi me asnjë provë të vetme nuk e ka arsyetuar se në çfarë forme do të shkaktohej dëm i rëndë, i cili do të jetë vështirë i riparueshëm dhe caktimi i kësaj mase është i domosdoshëm për të shmangur këtë dëm.
Sipas ZRrE-së, paditësi në formë deklarative e kundërshton një proces tërësisht të ligjshëm dhe obligim ligjor dhe ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ka shtuar se kalimi i hapur në tregun e lirë të energjisë elektrike është kërkesë ligjore e Ligjit për Energji Elektrike, si dhe e parashikuar në direktivat e Bashkimit Evropian dhe legjislacionin e brendshëm e për më tepër konsumatorët/subjektet juridike kanë pasur kohë të mjaftueshme që të përgatiten për këtë proces sipas njoftimeve dhe thirrjeve të ndryshme nga ZRrE dhe KESCO si furnizues”, thuhet në vendim.
Më tej, ZRrE ka theksuar se paditësit nuk do t’i shkaktohej asnjë dëm i pariparueshëm dhe këtë fakt e mbështet në faktin që energjia e blerë nga konsumatori në tregun e hapur, është e matshme dhe e evitueshme, si për nga sasia ashtu edhe për nga çmimi, andaj sipas të paditurit, pretendimet e tilla nuk qëndrojnë.
Po ashtu, i padituri ka thënë se paditësi është kundërthënës në deklarimet e tij në padi, ngase në njërën anë pohon t’i ketë rreth 42 punëtorë e në anën tjetër mbi 200 të tillë.
Ndryshe, lidhur me vendimin e Gjykatës Komerciale, Zyra e Rregullatorit për Energji ka thënë se do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore.