Me bukurinë e saj natyrale, stilin e sofistikuar dhe ngjashmërinë e pabesueshme me vajzën e saj të famshme, Anesa Lipa – nëna e Dua Lipës – duket se ka gjithçka që i nevojitet për të qenë vetë një yll popi.
Në moshën 52-vjeçare, ajo është kthyer në një sensacion më vete, duke mbledhur mbi 200 mijë ndjekës në Instagram, teksa ndjek Duan në çdo cep të botës, shkruan DailyMail.
Me një gardërobë që përfshin minifunde nga Versace, xhaketa lëkure dhe fustane elegante koktejsh, profili i saj në rrjete sociale mund të ngatërrohej lehtë me atë të një influencueseje të njohur – aq më tepër kur shoqërohet me udhëtime të njëpasnjëshme
Sot, Anesa është jo vetëm fansja më e madhe e Duas, por edhe shoqëruesja e saj më besnike, duke marrë pjesë në çdo ngjarje madhore – nga Grammy, në performancën historike në Glastonbury, deri te çmimet Brit.
Fundjavën e kaluar, kur Dua realizoi ëndrrën e saj të madhe dhe mbushi plot Wembley Stadium në Londër, nënë e bijë qëndruan krah për krah – dukshëm thuajse identike
Dikur një juriste në praktikë, Anesa së bashku me bashkëshortin e saj Dukagjin Lipa, jetonin në Kosovë – atëherë pjesë e Jugosllavisë – derisa shpërtheu lufta në Bosnje në vitin 1992.
Tashmë të zhvendosur për shkak të regjimit të Slobodan Milosheviqit, ata mbërritën në Londër si refugjatë, duke punuar si kamarierë në kafene e bare, para se Anesa të rikualifikohej në fushën e turizmit.
Është e qartë se prej tyre Dua e ka trashëguar etikën e saj të fortë të punës. Vetë ajo ka treguar për British Vogue se zgjohet në orën 6:30 të mëngjesit për Pilates, ushtrime me pesha, prova vallëzimi, seanca në studio dhe trajnime – pa harruar pasionet e shumta jashtë muzikës.
“Kam parë prindërit e mi të punojnë çdo ditë të jetës sime”, i tha ajo The Guardian në vitin 2018. “Babai im gjithmonë më thoshte: Duhet të punosh shumë, shumë fort vetëm për të pasur një pikë fati”.
Dua lindi tre vjet pas mbërritjes së prindërve në Londër, por kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, familja Lipa u kthye në Prishtinë. Vetëm pak vite më vonë, ajo mori një vendim të guximshëm: në moshën 15-vjeçare, u kthye e vetme në Mbretërinë e Bashkuar për të ndjekur ëndrrën e saj për të qenë një yll i muzikës.
Në një intervistë për British Vogue, Anesa kujtoi: “Kemi kaluar shumë sfida dhe situata të vështira në jetë, por si familje gjithmonë i kemi tejkaluar bashkë”.
Sa i përket vendimit për të lënë Duan të kthehej vetëm në Londër, ajo pranoi: “Mendoj se është gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë, por ajo ishte kaq e vendosur dhe plot ëndrra. Që e vogël e dinte çfarë donte. Ishte shumë e pjekur dhe ne besuam tek ajo.”
Dua e ka përshkruar gjithnjë marrëdhënien me familjen si thelbësore për stabilitetin e saj emocional në mes të gjithë ‘çmendurisë’ së famës.
Në një paraqitje te Graham Norton vitin e kaluar, ajo tha: “Jam shumë e lidhur me prindërit e mi, që më kanë besuar gjithmonë dhe kjo më ka bërë të jem sa më e mirë e mundshme. Familja më mban me këmbë në tokë”.
Në një postim për Ditën e Nënës në vitin 2021, Anesa deklaroi se “të qenit nënë” është arritja e saj më e madhe. Dhe ajo është në çdo hap pranë Duas – si në sallat madhështore të Grammy-ve, ashtu edhe në turneun aktual Radical Optimism, që arriti kulmin me një koncert spektakolar në Wembley.
Ajo madje e ka mbështetur hapur vajzën e saj në çdo arritje – si në vitin 2020, kur Dua mori gjashtë nominime për Grammy dhe Anesa shkroi në Instagram: “URIME PËR 6 NOMINIME!!! JAM SHUMË KRENARE PËR TY! TË DUA!”
Përveç anës mbështetëse, Anesa ka luajtur rol edhe në organizimin profesional të karrierës së Duas. Ajo është e regjistruar si drejtoreshë në Companies House, ndërkohë që vetë Dua ka themeluar bashkë me të atin Festivalin Sunny Hill.
Në një intervistë për Wired në vitin 2020, Dua tregoi me mall për nënën e saj: “Nëna ime është një engjëll i dërguar nga lart. Quhet Anesa, dhe është shkëmbi dhe superheroinë ime”.
Ajo zbuloi gjithashtu se kënga e parë që ka shkruar në jetë – në moshën katërvjeçare – ishte një këngë në gjuhën shqipe, kushtuar Anesës. “Kur të rritem, a mund ta vesh fustanin tënd? A mund të marr këpucët e tua? A mund të jem po aq e bukur sa ti?”, thuhej në tekstin e vogël. “Ende e këndojmë në shtëpi dhe qeshim me të”.
Sot, Anesa është e pranishme në çdo moment të rëndësishëm të jetës së Duas – qoftë në koncertet e mëdha, festivalet ndërkombëtare apo turnetë që e çojnë anembanë globit. Me hijeshinë e saj, përkushtimin dhe dashurinë e pakushtëzuar për vajzën, ajo është më shumë se një nënë – është forca e heshtur që qëndron pas suksesit të një prej yjeve më të ndritur të muzikës pop. /Telegrafi/