No menu items!

DEA amerikane: I arrestuari për vrasjen e presidentit të Haitit ka qenë informator i yni

Një zyrtar i agjencisë amerikane për luftimin e trafikimit të drogës, e cila funksionon si pjesë e Departamentit të Drejtësisë, DEA, tha të hënën se një prej amerikano-haitianëve të arrestuar nën dyshimin për vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, ka qenë informator i kësaj agjencie.

Autoritetet haitiane javën e kaluar arrestuan dy amerikano-haitianë, Joseph Vincen dhe James Solages, dhe i akuzuan për bashkëpunim me 26 kolumbianë në sulmin fatal ndaj presidentit Moise, shkruan Reuters.

Zyrtari amerikan i DEA-s, i cili foli në kushte anonimiteti, refuzoi të tregonte se cili nga dy amerikano-haitianët ka qenë informator i agjencisë së ShBA-së për luftimin e drogës.

“Njëri nga të dyshuarit në vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, ishte burim konfidencial i DEA-s”, tha zyrtari i kësaj agjencie përmes një shkrese elektronike, duke shtuar se i dyshuari ka kontaktuar me DEA-n pas vrasjes, por agjencia e ka nxitur që të dorëzhohet. “Këta indidivë nuk kanë qenë duke vepruar në emër të DEA-s”, thuhet më tej në shkresë.

Një burim i forcave të rendit tha se i dyshuari nuk ka qenë informator aktiv në kohën e vrasjes së presidentit haitian.

Një amerikano-haitian i tretë, Christian Emmanuel Sanon, u arrestua të dielën nga autoritetet e Haitit. Ai akuzohet se ka qenë organizator i sulmit.

Agjencitë amerikane të inteligjencës janë duke zhvilluar hetime se pse këta tre amerikano-haitianë mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e presidentit të Haitit.

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara tha të hënën se i është kërkuar nga Haiti që të ofrojë ndihmë në hetimet rreth vrasjes së presidentit Moise dhe se tashmë është duke bërë një gjë të tillë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.