Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të miturit R.B., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje – vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika.
R. B., ishte dënuar nga Gjykata e Ferizajt me dy vite me masë institucionale për veprën penale të dhunimit.
Një aksion i gjerë policor është zhvilluar këtë mëngjes në Kaçanik, i lidhur me vrasjen e rreshterit të policisë, Muhamed Lika, shkruan Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se vrasja e Muhamed Likës po shkon drejt zbradhjes, pasi Krimet e Rënda kanë arrestuar sot disa persona si të dyshuar për vrasjen e rreshterit, në Kaçanik.
Siç raportoi Sinjali të arrestuar janë: Rejhan Bela i lindur më 2007, Haki Bela i lindur më 1999 dhe Rilind Murati i lindur më 2003, Edmond Lika i lindur më 2002, Diamant Gashi i lindur më 2003, Vatan Çaka i lindur më 2006 dhe Shkëlqim Kuka i lindur më 2003.
Rilind Murati dyshohet se ka shkuar nga prapa dhe e ka qëlluar me armë zjarri rreshterin policor, ndërsa ai kishte hyrë në objektin banesor. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur disa gëzhoja. I mituri kishte ikur më pas në drejtim të një lokali.
Në pamjet e kamerave dëgjohet se një nga të dyshuarit i thotë të miturit “bravo, ik”, ndërsa pas vrasjes njëri nga të dyshuarit e kishte ndihmuar të miturin të largohet nga vendi i ngjarjes, kurse një i dyshuar tjetër rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes ndërsa pas 2 minutave largohet.
Disa të arrestuar janë kapur si të dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale. Në vendet ku janë kryer kontrollet janë siguruar edhe dëshmi materiale, telefona dhe pamjeve të kamerave.
Në këtë aksion kanë marrë pjesë një numër i madh policësh.
Murati, i dyshuari kryesorë për vrasjen e policit në Kaçanik ka qenë i dënuar edhe për veprën penale “dhunim”.
Murati ka qenë i mitur në kohën kur dyshohet se ka kryer vrasjen e policit, është në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale për dy vjet, për veprën penale “dhunim”, ku ndaj tij ishte lëshuar urdhër arrest.
“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se i dyshuari i mitur për rastin në fjalë të veprës penale Vrasja e rëndë për të cilën gjykata ka lëshuar Komunikatë për Media dhe ju ka njoftuar se gjyqtari i çështjes ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ka në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale në kohëzgjatje prej dy (2) vite për veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së për të cilën ka të lëshuar urdhërrarrest”, njofton Gjykata Themelore e Ferizajit.
Kurse ndaj tij, sot është vendosur paraburgim prej një muaji.