Partia që lindi nga ndarja e Vetëvendosjes, nga shumëkush shihet si opozita më e madhe e Albin Kurtit dhe Qeverisë së tij. PSD-ja që në krye ka dikur njeriun më të afërt të Kurtit, Dardan Molliqajn, secilën pakënaqësi ndaj Qeverisë po e shfaq në rrugë. Ashtu siç bënte LVV-ja në fillin e saj.
Albin Kurti, tash kryeministër, ka arritur kulmin e karrieres së tij politike, por pa disa prej shokëve, me të cilët e kishte nisur rrugëtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryeministri tash kundërshtohet prej PSD-së, partisë së Dardan Molliqajt, me metodat që dikur i praktikonin bashkë kundër qeverive.
Në zgjedhje, njëherë garoi me AAK-në, por dështoi. Në zgjedhjet e fundit, PSD-ja nuk mori pjesë hiç në zgjedhje dhe mbeti jashtë Kuvendit edhe për një legjislaturë.
Aksionet e PSD-së filluan qysh prej ditëve të para të qeverisjes së Kurtit.
Sipas standardeve të tij, Kurti do të duhej ta shkarkonte Liburn Aliun
Fillimisht, kjo parti i kërkoi Kurtit dorëheqjen e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, për shkak të aktakuzës së ngritur ndaj tij për kohën kur kishte punuar si drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
“Në anën tjetër, këta rojtarë të moralit, duke e vendosur veten si standard dhe interpretues final, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvleftësuar fjalën, ka relativizuar kuptime, sepse në këtë mënyrë e vërteta e tij është verdikti. Duke e zhvleftësuar fjalën në politikë ai po prek marrëdhënien e politikës me fjalën, me mendimin. E ne e dijmë që nëse në ushtri luftohet me armë, në politikë fjala ndërton dhe shkatërron. Sipas standardeve të tij, Kurti do të duhej ta shkarkonte Liburn Aliun dje. Dorëheqje!”, thuhej në kërkesën e PSD-së.
Përveç kësaj, PSD-ja kishte improvizuar edhe si do duhej të dukej letra e dorëheqjes së ministrit Aliu.
Dr. Hipokriti
Kritika e aksioni i radhës së PSD-së ishte ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilin e quajti “Dr. Hipokriti”.
Kjo për shkak se Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Vitia, pati marrë vendim për kufizim të lirisë së lëvizjes për qytetarët, si masë mbrojtëse ndaj Covid-19.
“Dr. Hipokriti sepse: Në vend të një etike të re, një përkushtimi për profesionin dhe qytetarin, ministri Vitia shkeli secilën rregull të pandemisë, duke rrezikuar jetën e qytetarit. Me këtë rast, ai shkeli BETIMIN E HIPOKRATIT. Pas kësaj, nuk mbetet asgjë më tepër sesa një hipokrit. Le t’i rezistojmë një rendi që jetën e qytetarit e sheh vetëm në dobitë të përjetësimit të vetes”, patën deklaruar nga PSD-ja.
UÇK është themeli i Republikës, zonja Presidente
Një aksion tjetër i PSD-së ishte edhe ai i vendosjes së flamurit të UÇK-së në oborrin e Presidencës.
Këtë aksion partia e Molliqajt e organizoi pasi Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një fjalim për Kosharen, nuk e kishte përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“UÇK është themeli i Republikës, zonja presidente! Institucionet e Kosovës, Presidenca dhe të gjitha tjerat nuk kanë kuptim as nuk shpjegohen pa UÇK-në. Pa UÇK-në këto institucione nuk do të ishin tonat, në fakt do të ishin ose kuislinge ose autonomiste. Të gjithë ne i dimë rrethanat ndërkombëtare dhe momentet që na sollën deri këtu…Presidentja shquhet për tonet pezhorative ndaj njerëzve të rezistencës, rezistencë që mbajti gjallë deri tek UÇK-ja, idenë e lirisë”, thuhej në reagimin e PSD-së.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për publikimin e shifrave të shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë, u kundërshtua nga PSD-ja.
Veturës së ministres së jashtme, ia shkruajtëm mbishkrimin “UÇK”
Përmes një aksioni, anëtarë të kësaj partie kanë shkruar mbishkrimin “UÇK” në veturën zyrtare të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Në emër të transparencës Qeveria e ka dëmtuar mbrojtjen duke deklasifikuar pagesat për avokatët. Sikur në luftë, edhe sot e njëjta këngë. Po na tregojnë sa kushton UÇK-ja. Janë shumë vesh që duan ta bëjnë kalkulimin dhe koston argument. Ky regjistër është i njëjti që para luftës na i tregonte pasojat dhe rreziqet e luftës. Këtij veshi po i fryen Kurti sot. Kalkulimi është argument i frikës, i reaksionit. UÇK-ja është e guximit, e historisë.
Veturës së ministres së jashtme sot ia shkruajtëm mbishkrimin UÇK. Kosova nuk mund të ketë suksese në diplomaci nëse është e shpërfytyruar nga brenda. Kosova nuk ka ku shkon pa UÇK-në”, ishte arsyetimi i PSD-së për këtë aksion.
Gjakderdhje financiare
”Gjakderdhje financiare”, ishte mbishkrimi që PSD-ja shkroi në muret e objektit të Qeverisë, pas vendimit të Qeverisë për pagesën e 11 milionëve të borxhit të energjisë elektrike për veriun e Kosovës.
Gjatë këtij aksioni, Policia e Kosovës arrestoi me dhunë disa nga zyrtarët e PSD-së, ndaj të cilëve hodhi edhe gaz lotsjellës.
“Një Lëvizje që u ngrit me protestë dje, shtyp rezistencën sot. Fund i palavdishëm, apo lavdi Lëvizjes VETËVENDOSJE! Pushteti policor i Albin Kurtit. Sot, gjatë aktivitetit tonë simbolik afër objektit të Qeverisë, hasëm në dhunë të madhe dhe të paarsyeshme nga Policia e Kosovës. Ndërhyrja e tillë në një aktivitet paqësor shpërfaq mendësinë e këtij pushteti; që aktivizmin politik e trajton duke e shtypur me dhunë brutale. Gjatë ndërhyrjes kanë arrestuar aktivistët tanë Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Qëndrim Sahiti, Zgjim Hyseni dhe Agron Kabashi dhe kanë përdorur dhunë dhe sprej lotsjellës ndaj aktivistëve të tjerë”, deklaruan zyrtarë të kësaj partie.
PSD kritikoi institucionet e vendit për ngecje në procesin e sigurimit të vaksinave anti-Covid.
I dorëzojmë vaksinën e përgjegjësisë Arben Vitisë, Dr. Hipokritit
Anëtarë të kësaj partie çuan te Ministria e Shëndetësisë një vaksinë të improvizuar, përmes së cilës i kërkonin dorëheqjen Arben Vitisë,
“I dorëzojmë vaksinën e përgjegjësisë Arben Vitisë, Dr. Hipokritit. Kjo vaksinë çon në dorëheqje. Dorëheqje për mungesën e punës, dorëheqje për keqmenaxhim. Mospunë sepse nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret rreth sigurimit të vaksinave përtej donacioneve”, deklaruan nga PSD.
Peticion qytetar
Atë ditë, PSD-ja paralajmëroi mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve për ta ndërmarrë nismën ligjore për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë.
Anëtarë të kësaj partie dolën në të gjitha qytetet e vendit për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve.
Para pak ditësh, PSD ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës mbi 11 nënshkrime të mbledhura nga qytetarët, për ta kërkuar inicimin e projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë.
“Një rol të madh në shtytjen tonë e ka pasur fushata e partive politike që nuk e kanë respektuar asnjë masë. Janë ndarë më shumë se 200 mijë dënime, që i bie se 10 për qind e qytetarëve janë dënuar, në ndërkohë nuk kemi vaksina, ndihma ekonomike dhe po gjobiten qytetarët. Është me urgjencë dorëzimi i këtij peticioni dhe bërja e një projektligji. Ne mendojmë që në mënyrë urgjente duhet të futet në rendin e punës në seancë dhe ta votojnë 120 deputetë këtë projektligj”, deklaruan nga PSD.
E të gjitha këto aksione të PSD-së, nga analistët e ngjarjeve politike po kosniderohen më të fuqishme se të gjitha reagimet e e partive opozitare parlamentare.
Gazetari Valon Syla, të hënën në emisionin Pressing në T7 i tha ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajt, se PSD-ja si parti e vogël, është më aktive se të gjitha partitë tjera opozitare.
“PSD s’i ka as 2,000 votues, por më aktive se të gjitha partitë”, deklaroi Syla.
Ndërkohë Hoxhaj e quajti PSD-në si parti që merret me instalacione e performanca.
“Mos e krahasoni PDK-në me parti që merren me performanca e instalacione”, deklaroi Hoxhaj. /Gazeta Express