Prishtinë, më 23 prill 2025
Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas veprimeve të ndërmarra në koordinim me njësitë e rendit të Policisë së Kosovës, muaj më parë kishte ndërmarrë një operacion të suksesshëm që ka rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe të dokumenteve të zbrazëta (blanko) të shteteve të ndryshme dhe pajisjeve që shërbejnë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.
Në muajin janar të këtij viti njësitë e rendit të Policisë së Kosovës në Prishtinë kishte ndaluar një automjet me targa vendore, që drejtohej nga i dyshuari me inicialet F.K., ku gjatë kontrollit është zbuluar një sasi e madhe e dokumenteve të zbrazëta.
Pas hetimeve të mëtejme, në të njëjtën ditë, në një shtëpi të dyshuar në lagjen Veternik të Prishtinës është zbuluar një laborator i pajisur me makina të ndryshme lazerike, printerë dhe pajisje të tjera që përdoren për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si dhe dokumente blanko me kopertina të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës.
Hetime intezive nga Policia e Kosovës kanë vazhduar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Europol-in.
Gjatë këtyre veprimeve, sot më 23.04.2025 është siguruar prezenca dhe është intervistuar edhe i dyshuari tjetër me inicialet SH.E., si pjesë e grupit. I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale (PSRK-së), është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër të gjitha veprave të kundërligjshme, krimit të organizuar dhe falsifikimit të dokumenteve në veçanti, dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët vendor dhe ndërkombëtarë për të siguruar zbatimin efikas të ligjit.