Pas përfundimit të stërvitjes së parë me Kombëtaren e Kosovës, Ron Raçi, i cili është ftuar për herë të parë nga përzgjedhësi Franco Foda, ka ndarë emocionet e tij për këtë moment të rëndësishëm në karrierën e tij.
Ai u shpreh se ndihet shumë i lumtur dhe krenar për mundësinë që i është dhënë, duke theksuar rëndësinë që ka për të ta përfaqësojë vendin e tij.
“Jam mjaft i lumtur. Ta përfaqësosh vendin tënd është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam krenar që jam në mesin e këtyre djemve,” tha Raçi, duke reflektuar thellësisht mbi emocionet që e kaplojnë gjatë këtyre ditëve me ekipin kombëtar
Ai nuk ndalet vetëm te emocionet, por thekson edhe angazhimin e tij për të dhënë maksimumin në shërbim të Kombëtares.
Do ta jap maksimumin për Kombëtaren e Kosovës,” shprehet ai me bindje, duke treguar se përveç krenarisë, ka edhe përgjegjësi të madhe personale për të treguar nivelin më të mirë në fushë.
Raçi po punon intensivisht për t’u përshtatur me taktikat dhe stilin e përzgjedhësit Foda.
“Jam duke u munduar të përshtatem me ekipin dhe taktikat e trajnerit,” thotë ai, duke treguar që është i përkushtuar të bëhet sa më shpejt pjesë aktive e grupit dhe të kontribuojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ai e përshkruan edhe ritmin dhe intensitetin e stërvitjeve, që sipas tij janë shumë të larta dhe kërkojnë përqendrim maksimal.
“Stërvitjet që po i bëjmë janë me intensitet mjaft të lartë dhe shpresoj të jap më të mirën nga vetja,” thotë Raçi, duke treguar se është i gatshëm të përballojë sfidat fizike dhe taktike që sjell ekipi kombëtar.
Futbollisti i ri ka edhe objektiva të qarta për ndeshjet që e presin skuadrën. Ai shprehet se të dyja ndeshjet miqësore që do të zhvillohen janë të rëndësishme për t’u fituar, jo vetëm për vetë rezultatet, por edhe për motivimin që do t’u japin ekipit para nisjes së fazës së kualifikimeve për Botërorin.
“Të dyja miqësoret që na presin duhet t’i fitojmë, në mënyrë që të jemi më të motivuar për kualifikimet e Botërorit që na presin nga shtatori,” përfundoi Raçi./Telegrafi/