Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka reaguar me emocione të veçanta pas vendimit të Nora Gjakovës për t’i dhënë fund karrierës së saj sportive, në ditën e fundit të vitit 2025.
Përmes një statusi publik, Kuka ka shprehur mirënjohjen e thellë për kampionen olimpike, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit shqiptar.
Statusi i Driton Kukës:
“Faleminderit Nora 🙏
Kampionja Olimpike sot zyrtarisht përfundoi karrierën e saj!
Mirënjohës për punën, mundin dhe sakrificën për gjithë Kombin Shqiptar!”
Trajneri Kuka ka publikuar gjithashtu të plotë mesazhin emocional të Nora Gjakovës, pas këtij vendimi të rëndësishëm.
⸻
Mesazhi i Nora Gjakovës pas pensionimit:
*“Faleminderit Xhudo… 🥋🙏
Sot, në ditën e fundit të vitit 2025, po e përmbylli një kapitull të rëndësishëm që për mua ka qenë e gjithë jeta ime deri tash – po e përfundoj karrierën time si sportiste.
Jam rritur dhe kam marrë frymë me sportin e xhudos dhe jam e lumtur që e kam jetuar ëndrrën time.
Sfidat, humbjet dhe fitoret do të mbesin kujtime të paharrueshme, sepse më kanë bërë një ndër sportistet më të suksesshme shqiptare dhe mbi të gjitha njeriun që jam sot.
Jam mirënjohëse për këtë rrugëtim të bukur dhe ndihem e përmbushur me gjithçka që kam arritur gjatë këtyre 23 viteve karrierë në sport.
Faleminderit familjes për hapat e parë dhe mbështetjen e vazhdueshme,
Tonit që më ngriti si sportiste deri në titullin më të lartë – Kampione Olimpike,
shokëve dhe shoqeve të Klubit Ippon në Pejë për çdo ndeshje dhe përkrahje,
shtetit tim Kosovës 🇽🇰 për nderin dhe krenarinë që ma dha ta përfaqësoj,
dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë 🇦🇱 për përkrahjen ndër vite.
Faleminderit të gjithëve që më keni qëndruar afër. ❤️🔥
Drejt fillimeve dhe ëndrrave të reja… 🥂
Gëzuar 2026 🎉”*
⸻
Pensionimi i Nora Gjakovës, fituese e medaljes së artë olimpike në Tokio, shënon fundin e një epoke të artë për xhudon kosovare dhe shqiptare, por njëkohësisht hap rrugën për kapituj të rinj dhe sfida të reja në jetën e saj.
Një kampione që do të mbetet përgjithmonë frymëzim 🇽🇰🥋✨





