Një vajzë ka pësuar lëndime serioze në hundë gjatë qëndrimit në pishinën e Gërmisë, vetëm dy ditë pas hapjes së saj për sezonin veror.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Këshillit Lokal të Sofalisë, Enver Redenica, i cili përmes një postimi në Facebook tha se ka njoftuar organet kompetente dhe kërkoi që rasti të zbardhet urgjentisht.
“Nëse del që vajza është lënduar për shkak se pishina nuk kishte ujë të mjaftueshëm, përgjegjësia do të bjerë mbi kryeshefin e NPL Sport Marketingut, Bardh Krasniqi, dhe Komunën e Prishtinës,” ka deklaruar Redenica.
Ai ka shtuar se pishina është hapur gjysmë e zbrazur, nën presionin – siç pretendon ai – të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Redenica gjithashtu ka kritikuar faktin se këtë vit nuk ka pasur hyrje falas në ditën e parë të hapjes, siç ka ndodhur vitet e kaluara.
“Disa qytetarë paguan me kupon fiskal, e disa pa të tillë,” ka shkruar ai.
Ndërkohë, nga Komuna e Prishtinës dhe NPL Sport Marketingut ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar lidhur me rastin./Rapprto24/