Në Kampionatin Botëror të Xhudos që u mbajt në Budapest të Hungarisë, me tre garues sa mori pjesë, Kosova rrëmbeu dy medalje elitare. Distria Krasniqi rrëmbeu medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu atë të bronztën, duke shënuar kështu një tjetër sukses të madh në këtë sport.
Trajneri Driton Kuka në një intervistë për KosovaPress, theksoi se e priste një sukses të tillë nga Distria Krasniqi, derisa pranon se u befasua për të mirë nga Laura Fazliu me performancat e saj.
“Realisht forma e Distrisë gjatë këtij viti është në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe kam prit që Distria të jetë medaliste në këtë kampionat botëror, por ajo që më ka befasuar për të mirë është Laura në këtë garë, marrë parasysh që ajo tash e katër-pesë muaj e ka një lëndim jashtëzakonisht serioz, të cilin me ndihmën e fizioterapeutëve të vetë, ekipit tonë e ka përmirësuar goxha shumë, por të them të drejtën, ajo në këtë ciklin ose bllokun final përgatitor, e ka pas vetëm një përgatitje cilësore që e kemi pasur në Spanjë edhe gjithmonë e kam menduar se a është kjo e mjaftueshme për të arritur formën e duhur. Por ajo na ka befasuar me performancën e saj”, ka thënë fillimisht Kuka.
Ai që mbeti pa medalje ishte xhudisti Akil Gjakova, por Kuka zbulon se ai po vuante nga një lëndim dhe se muajve të fundit nuk ishte stërvitur pothuajse fare.
“Kam prit që të kthehemi me medalje, marrë parasysh që thashë më herët Distria është në formë jashtëzakonisht të mirë. Dy medalje është sukses i jashtëzakonshëm, lufta të mira dhe nivel të lartë, ka tregu edhe Akili, i cili po ashtu është me një problem jashtëzakonisht serioz në krahun e tij, të cilin lëndim ta shohim tash mbase që i kemi kryer kampionatin evropian dhe botëror, kemi kohë ta rikuperojmë, kemi kohë me pa a ka nevojë ndonjë intervenim kirurgjik apo jo, do t’i konsultojmë mjekët me të cilët ne punojmë në këtë drejtim. Tre garues, dy medalje, rezultat i jashtëzakonshëm, medalja e dhjetë tashmë ka ardhur për Kosovën nga kampionatet botërore”, thekson tutje Kuka.
Duke u kthyer te Distria Krasniqi, Kuka zbulon edhe arsyen pse ajo nuk arriti ta fitojë medaljen e artë në këtë kampionat.
“Po Abe Uta është sipas meje, xhudistja më e mirë e të sotmes, domethënë është larg më e mira xhudiste nga të gjitha kategoritë në sportin e xhudos, ajo në Lojërat Olimpike ka pësuar një humbje, të cilën njerëzit që e përcjellin xhudon e kanë pa që ka qenë një befasi e jashtëzakonshme. Dua të them një të veçantë që kësaj radhe Distria tre minuta deri në momentin kur Uta ka realizuar hudhjen, ka qenë e mirë realisht, po më duket që e kemi gjetur çelësin se si të luftojmë kundër saj. Është jashtëzakonisht e vështirë, por nuk do të dorëzohemi, do të punojmë jashtëzakonisht shumë, që ndoshta edhe atë që sot për sot quhet e jashtëzakonshme e xhudos botërore në gjuhën e vajzave, ta mposhtim, do të punojmë fort”, shtoi Kuka.
Kuka thekson se sukseset ndërkombëtare në sport po ndihmojnë në përmirësimin e imazhit të Kosovës edhe në arenën diplomatike, duke thyer paragjykimet dhe duke forcuar njohjen ndërkombëtare.
“Kosova përveç anës sportive, që është e mirë që po na vlerësojnë kaq shumë, është e mirë që besonin njerëz jashtëzakonisht me potencë në shtetet e tyre po e vizitojnë Kosovën po i eliminojnë paragjykimet që i kanë për Kosovën, cilat paragjykime ndërtohen prej atyre që janë kundër pavarësisë së shtetit tonë, kështu që kjo është fitore në dy dimensione: edhe atë dimensionin sportiv, por pak edhe në dimensionin diplomatik”, përfundoi Kuka.
Përtej rezultateve e medaljeve, xhudo e Kosovës shënoi një tjetër sukses pasi xhudistja Nora Gjakova është tashmë zyrtarisht anëtare e Komisionit të Sportistëve të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) – një trupë elitare që formëson të ardhmen e këtij sporti në rang global.