Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është regjistruar së fundi në Ferizaj, ku si rezultat i një aksioni të Njësisë së Hetimeve të Narkotikëve, janë kapur dy të rinj që dyshohen për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë: Diellon Kashtanjeva, rreth 20-vjeçar dhe Flamur Haliti, rreth 24-vjeçar janë ndaluar nga Policia më 20 maj 2025 në fshatin Talinovc i Muhaxherëve, me dyshimin se posedonin substanca narkotike.
Gjatë kontrollit të realizuar nga Policia, tek Kashtanjeva është gjetur një çantë krahu në të cilën janë sekuestruar: Një sasi e konsiderueshme substancë të dyshuar marihuanë, një peshore digjitale, një mulli për bluarje, një pako rizlla, 15 euro para të gatshme dhe një telefon iPhone 15 Pro Max.
Ndërkohë, tek Flamur Haliti është gjetur një sasi tjetër e marihuanës, e cila është sekuestruar nga Policia.
Pas veprimeve hetimore, me vendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda, Diellon Kashtanjeva është ndaluar për 48 orë, ndërsa Haliti është liruar në procedurë të rregullt hetimore, thonë burimet e Sinjalit.
Materialet e sekuestruara janë dorëzuar si prova, ndërkohë që hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.