Një rast i dyshuar për manipulim zgjedhor është dokumentuar pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ku, sipas Partisë Demokratike, zyrtarë të administratës shtetërore dyshohet se posedonin materiale zgjedhore, pajisje elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash – në kundërshtim me ligjin.
Sipas njoftimit të PD-së, tre përfaqësues të saj kanë informuar Policinë e Shtetit për rastin, por ndërhyrja e autoriteteve ka ndodhur pas më shumë se 90 minutash, pavarësisht se ambienti ndodhej në qendër të kryeqytetit. Kjo vonesë, sipas akuzave të PD-së, ka krijuar hapësirë për të zhdukur apo manipuluar provat e mundshme të një krimi zgjedhor.
Një video e siguruar nga portali Raporto24 shfaq skena të dyshimta që, sipas opozitës, përforcojnë dyshimet për përpjekje për të ndikuar në vullnetin e votuesve.
PD e cilëson këtë rast si një tjetër dëshmi të asaj që e quan “narkoregjimi i Edi Ramës” dhe kërkon hetim të plotë dhe të paanshëm nga institucionet përkatëse./Raporto24